Reçica: Procesi i verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale të luftës po vazhdon
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka marrë pjesë në takimin me Grupin Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, në të cilin ka raportuar rreth procesit të verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.
“Komisioni qeveritar për verifikim dhe njohjen e statusit të kësaj kategorie ka nisur procesin nga data 5 shkurt 2018, proces i cili është duke vazhduar. Fillimi i njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale ka qenë një proces i gjatë dhe që ka kërkuar një vendosshmëri, për të marrë vendimet e duhura, që të paktën në këtë formë të jemi më afër këtyre qytetarëve, të cilët më së shumti kanë pas nevojë për ndihmën tonë”, ka thënë ai.
Ministri Reçica ka pohuar se do të angazhohen si MPMS edhe më tutje për këtë kategori duke luftuar stigmën, paragjykimet, duke i ofruar qasje të lehtë në shërbime shëndetësore të mirëfillta, përparësi në punësim dhe aftësim profesional, arsimim kualitativ, rehabilitim, fuqizim ekonomik dhe para së gjithash drejtësi.
/Epoka e re/