Reçica: Rritja e punësueshmërisë kërkon reforma ligjore dhe modernizim të shërbimeve të punësimit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica mori pjesë në konferencën e Bankës Botërore, “Si të punojmë së bashku për të rritur mundësitë e punësimit për të rinjtë në Kosovë”.
Në këtë konferencë, ministri foli rreth përkushtimit të MPMS-së për ngritjen e nivelit të punësueshmërisë në vend, e posaçërisht punësueshmërinë e të rinjve. Ai theksoi se plani i punësimit të të rinjve ka paraparë objektiva specifike për punësimin e të rinjve, duke u fokusuar në arsimin dhe aftësimin profesional të të rinjve, grave dhe grupeve të cenueshme.
“Për të rritur punësueshmërinë në vend, duhet të krijohen disa parakushte, qoftë reforma ligjore, qoftë edhe ato teknike, andaj MPMS gjatë kësaj periudhe ka realizuar një sërë reformash ligjore si dhe në modernizimin e ofrimit të shërbimeve”, tha Reçica.
Në fund, ministri Reçica së bashku me drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovaneli shpërndanë disa çmime për studentët dhe të rinjtë të cilët kanë marrë pjesë në garën e Bankës Botërore, për idetë dhe shpresat e tyre mbi tranzicionin nga studimet në botën e punësimit.
/Epoka e re/