Reçica takon mërgatën në Zvicër: Angazhimi juaj, forca jonë për të ndërtuar një PDK dhe një Kosovë më të fortë
Kryetari i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica, bashkë me kryetarin e Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka kanë zhvilluar takime me mërgimtarët në Neuchatel dhe Thun.
Reçica, përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se ishte privilegj i veçantë të takojë bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë e miq, të cilët u bashkuan dhe u organizuan për të dhënë kontributin e tyre për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Mes mërgimtarëve tanë të dashur në Thun. Angazhimi dhe mbështetja juaj janë forca jonë për të ndërtuar një PDK dhe një Kosovë më të fortë. Ne kemi nevojë për ju – për energjinë, idetë dhe vullnetin tuaj! Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen dhe për përkushtimin tuaj!”, ka shkruar ai.
Ndërsa në Neuchatel, Reçica tha se mërgata është fuqia jonë, dhe me këtë mbështetje, asgjë nuk na ndalë.
“Në Neuchatel, pata nderin të takohem dhe të bashkëbisedoj me mërgimtarët tanë. Fjalët e tyre ishin një thirrje e qartë për veprim: Koha për ndryshim është tani!”, ka shkuar ai.
Kurse, kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, ka falënderuar deputetin Reçica për angazhimin e tij të palodhur dhe përkushtimin ndaj mërgatës.
“Bashkë, ne do të vazhdojmë të punojmë për të ndihmuar shqiptarët në mërgim dhe për të forcuar lidhjet me atdheun tonë, Kosovën”, është shprehur Xhaka.