Reçica takon në Paris mërgimtarin e suksesshëm në fushën e teknologjisë
Kryetari i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica krahas punës për themelimin e strukturave të PDK-së në Francë, po zhvillon takime edhe me ndërmarrës dhe personalitete të shquara e të suksesshme në këtë vend.
Reçica ka takuar sot Bujar Marevcin, themelues dhe president i kompanisë së teknologjisë RJ45, e themeluar në vitin 1993, në Paris të Francës.
“Në Paris mund të takosh mërgimtarë shumë të veçantë të cilët kanë arritur majat e suksesit dhe po na bëjnë krenarë çdo ditë kudo ku ata na përfaqësojnë. Bujari është themelues dhe president i kompanisë së teknologjisë RJ45, e themeluar në vitin 1993, në Paris të Francës. Kompani shumë e suksesshme dhe shumë e njohur në fushën e teknologjisë jo vetëm në Francë, por edhe në të gjithë botën. Bujari ka kontribuar në themelimin e rrjetit të bizneseve të Diasporës në Francë, ku edhe e ka udhëhequr këtë rrjet si Kryetar, dhe ka marrë mirënjohje për punën e tij nga Ministria e Diasporës”, tha Reçica.
Siç ka shkruar Reçica në faqen e tij në Facebook, Bujar Marevci ka migruar nga Ferizaj për në Francë qysh në moshë të re si nxënës i shkollës fillore, në fillim të viteve 70-ta.
“Është kontribues dhe mbështetës i madh i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës si dhe humanist i jashtëzakonshëm i cili në vazhdimësi po i ndihmon shqiptarët në forma të ndryshme në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut”, tha Reçica.
https://www.facebook.com/100044230999664/posts/596694821814879/?sfnsn=mo