Reciprociteti me Serbinë, Ahmeti: Ndërkombëtarët asnjëherë nuk do ta pranojnë thyerjen e ‘status quo’-s
Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës.
Ahmeti ka thënë se ndërkombëtarët asnjëherë nuk do t’i aprovojnë vendimet e institucioneve të Kosovës për thyerjen e “status quos”.
“Pa komentuar efektin e vendimit të qeverisë për dokumentet dhe tabelat, është interesante që pyetja e vetme e opozitës është se a ka pasur koordinim me faktorin ndërkombëtar, Çka është koordinimi? Kërkim leje? Aprovim? Informim? Një gjë është e qartë, asnjëherë nuk do të ketë aprovim nga “faktori” ndërkombëtar për thyerje të ‘status quo’-s. Prandaj nuk mund të ketë koordinim. Se a i ka vlerësuar qeveria mirë reagimet, pasojat dhe koston është pyetje krejt tjetër. Vlerësimi i tyre dhe marrja parasysh e kostove është punë e qeverisë. Kjo mund të jetë debat. Opsioni tjetër është vetëm ‘status quo’, që gjithmonë është opsion pa kosto të madhe politike për zyrtarët”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e reciprocitetit për dokumente me Serbinë nga 1 gushti, por pas vendosjes se barrikadave në veri dhe kërkesës amerikane ky vendim është pezulluar deri më 1 shtator.