Rees: ZPS-ja nuk çau kokën që t’i merrte dokumentet e publikuara
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, sot ka filluar paraqitja e çështjes së mbrojtjes para trupit gjykues.
Në adresimin e tij, avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka treguar asnjë interes që dokumente të Gjykatës Speciale të cilat u bënë publike në disa media në Kosovë, të hiqeshin.
Ai ka thënë se pavarësisht se u bënë publike dhe pati versione të paredaktuara, ZPS-ja nuk u mundua që t’i hiqte.
“E vërteta është se ZPS-ja nuk çau kokën që t’i merrte, nuk tregoi asnjë interes për t’i marrë ato dokumente, pavarësisht nga artikulli i botuar në media. Duke e bërë ekzistencën e dokumenteve të qarta për t’i parë të gjithë Berisha dhe bashkëpunëtorë botuan kopje të dokumenteve në internet ku janë edhe sot, ndryshe nga ç’bëri Gucati. ZPS-ja nuk i kërkoi asnjëherë medias (Infokus) që t’i hiqte ata artikuj dhe nuk kanë treguar asnjë lloj interesi që të hiqen ata artikuj”, ka thënë ai.