Referendumi i Brexit mund të përsëritet
Kryeministrja britanike Theresa May do të paraqesë sot në parlament planin e ri për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Ajo bëri pjesë të planit të ri edhe mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë për Brexitin, një çështje që më parë e ka refuzuar kategorikisht.
Përfshirja e referendumit të dytë në planin e saj synon të tërheqë vota nga deputetët që e kanë refuzuar marrëveshjen që ajo arriti më herët gjatë këtij viti me Brukselin.
Kushti është që marrëveshja e re me Brukselin e propozuar nga kryeministrja të marrë fillimisht dritën e gjelbër. Nëse kjo marrëveshje nuk kalon, May paralajmëroi se Brexit mund të anulohej.
Prej muajsh Britania e Madhe nuk po arrin të përmbyllë shkëputjen nga BE-ja, pasi qeveria nuk plotëson shumicën parlamentare. Opozita nga ana tjetër ka kërkuar dorëheqjen e Theresa May.