Referendumi për emrin në Maqedoni, problem mbeten listat zgjedhore
Autoritetet në Maqedoni po bëjnë përgatitje për referendumin e 30 shtatorit, që mund të vlerësohet si historik, për shkak të pritjeve për ndryshimin e emrit të vendit. Por, vëzhguesit lokalë vërejnë se regjistri i votuesve nuk është pastruar, ndërsa paralajmërojnë për manipulime të mundshme.
Para referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, të caktuar për më 30 shtator, te një pjesë e shoqërisë civile dhe analistëve janë shtuar dilemat nëse regjistri zgjedhor po vazhdon të jetë i manipuluar si në periudhën e pushtetit të kaluar.
Maqedonia, me një popullsi të vlerësuar prej pak më shumë se dy milionë banorësh, sepse nuk është bërë një census që prej vitit 2002, ka një milion e 800 mijë votues të regjistruar.
Ende ka njerëz të vdekur të cilët figurojnë në regjistrin zgjedhor, sipas shoqërisë civile. Por, Komisioni i ri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk i pranon raportet. Shifra prej një milion e 800 mijë votuesve është reale, sipas Komisionit.
Qeveria e Maqedonisë nuk ka dhënë ende hollësi mbi shpenzimet e planifikuara për fushatën, për referendumin që tashmë në realitet ka filluar, e prej nga do t’i sigurojë ato mjete financiare.