Referendumi, pjesëmarrja dhe vota pro sjellin një faqe të re për Maqedoninë dhe mbarë rajonin
Prof. Lisen Bashkurti
Dita e referendumit në Maqedoni po afrohet. Ne fakt është dita e kthesës së madhe që do të shënojë një faqe të re për Maqedoninë dhe mbarë Rajonin. Nga pjesëmarrja dhe vota e qytetarëve të Maqedonisë varet e ardhmja e këtij shteti, e paqes, stabilitetit, e demokracisë dhe multietnicitetit, e prosperitetit ekonomik për mbarë qytetarët e tij dhe e integrimit në NATO dhe Bashkimit Evropian.
Nga pjesëmarrja dhe vota në referendum në një masë të konsiderueshme shënohet një faqe e re edhe për mbarë Ballkanin Perëndimore, zgjidhet një nyje Ballkanike, kapërcehet një udhëkryq i rrezikshëm, tejkalohet një ngërç afro 20-vjeçar, hapet një erë e re në politikat e fqinjësisë së mirë në Ballkan dhe në kooperimin Rajonal.
Fushata referendare po ecën për mirë. Ka një aktivizim të aktorëve kryesorë politikë, shtetërorë dhe jo shtetërorë, të shoqërisë civile, të medies dhe të njerëzve me ndikim opinional. Qeveria dhe mazhoranca po bëjnë një komunikim e informim të matur me shumë vlerë dhe pa propagandë. Faktorët opozitarë kohët e fundit hoqën dorë nga apeli për bojkot dhe me kujdes po ia lënë qytetarëve vullnetin për pjesëmarrje.
Faktori etnik shqiptar, në mazhorancë dhe në opozitë më së shumti duket mjaft i afruar ndër veti në favor të pjesëmarrjes në referendum dhe votës pro referendare. Në klimën para referendare si radhë herë shqiptarët dhe maqedonët, sikundër edhe komunitetet e tjera etnike duket se janë pranë njëri-tjetrit për të mbështetur një pjesëmarrje të gjerë në referendum dhe për të votuar pro tij. Mesa duket vetëdija qytetare po ngrihet mbi atë etnike, fryma euroatlantike po dominon atë Ballkanike. Në këtë qasje pozitive ka ndikuar drejtpërdrejtë rruga drejt integrimit të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe hapja e negociatave për pranimin edhe në BE. Pra, ka një vetëdije euroatlantike të ngritur në politiken dhe shoqërinë e shtetit të Maqedonisë.
Në klimën pozitive të krijuar brenda vendit kontributin kryesor e ka Qeveria e Zaevit, politika, qëndrimet dhe sjellja e së cilës po tregojnë një filozofi të re politike të mbështetur në vlera dhe interesa mbarë qytetare, pa dallime politike dhe etnike dhe larg ndikimeve gjeopolitike joeuroatlantike. Duke tejkaluar me prudencë krizat politike dhe institucionale të pak kohë më parë, kryeministri Zaev dhe Qeveria e tij, së bashku me faktorë të tjerë institucional politik e shoqëror po japin një model se si mund të kapërcehen me vullnet politik kriza që për dy dekada e mbajtën vendin në një qark të mbyllur pa rrugëdalje. Zaevi dhe Qeveria e tij po japin mesazhe mjaft pozitive politiko-diplomatike për mbarë Ballkanin Perëndimor.
Klimën pozitive të referendumit po e mbështesin fuqishëm edhe faktorët politikë e diplomatikë më të rëndësishëm ndërkombëtar. NATO, BE, ShBA, Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane me ndikim janë involvuar drejtpërdrejtë në fushatën pro referendare nëpërmjet veprimeve e qëndrimeve diplomatike të qarta e të drejtpërdrejta. Shkupi është kthyer në një skenë dinamike të diplomacisë publike euroatlantike bashkëkohore. Nisur nga shumë përvoja të hidhura referendare në rajon, por edhe në Evropë, kësaj radhe duket që tërë faktorët me ndikim euroatlantik kanë ‘zbarkuar’ në Shkup me të njëjtat politika, veprime e qëllime të njësuara. Duket që rasti i Maqedonisë ka bashkuar më tepër se çdo rast tjetër në Ballkanin Perëndimor NATO-BE-ShBA-Gjermani etj., pra faktorët më të fuqishëm euroatlantik.
Në këtë situatë politike edhe vendet e Ballkanit Perëndimorë duket se kanë qëndrime të unifikuara pro referendumit në Maqedoni. Gjithë vendet e rajonit, fqinjët e drejtpërdrejtë të Maqedonisë, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, por edhe të tjerë kanë ndërmarrë vizita diplomatike të larta pro referendare. Të gjithë e kanë vlerësuar këtë referendum si erë e re për Maqedoninë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor.
Ditët e fundit fitorja e Syrisas në Greqi i dha mesazhin më të fuqishëm dilemave greke. Qytetarët grekë me votën pro kryeministrit Cipras dhe koalicionit të tij afirmuan ndër të tjera edhe marrëveshjen Greko-Maqedone për emrin e Maqedonisë. Qarqet nacionaliste dhe ekstremiste duket që ngelen në ‘kalendat greke’ edhe këtë radhë, duke i krijuar shansin historik Cipras e Qeverisë së tij të vijojë reformat e brendshme të suksesshme, por edhe politikat e fqinjësisë së mirë, midis të cilave marrëveshjen ndërqeveritare Greko-Maqedone që është nga më të rëndësishmet. Edhe kryeministri Cipras, sikundër Zaevi po japin mesazhe me rëndësi euroatlantike për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunim rajonal. Janë dy liderë që po sjellin të njëjtën filozofi politike qytetare evropianiste në shoqëritë e tyre të brendshme dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Fushata referendare ditët e fundit janë me rëndësi të veçantë. Intensifikimii informimit dhe komunikimit me qytetarët është instrumenti kryesor i garantimit të pjesëmarrjes së gjerë dhe votës pro në referendum. Është e kuptueshme që faktorë të brendshëm, por edhe gjeopolitik me prezencë dhe ndikim në jetën politike dhe shoqërore në Maqedoni po aktivizohen në mënyra shumë të sofistikuara kundër pjesëmarrjes në referendum dhe votës kundër tij.
Këta faktorë gjeopolitikë të rrezikshëm nuk duhen nënvlerësuar deri në përfundim të referendumit, sepse kohët e fundit po tregojnë që edhe në demokraci shumë të fuqishme dhe të konsoliduara intervenimet e aktorëve dhe faktorëve gjeopolitikë kundër euroatlantik po ndikojnë me rrugë e metoda të sofistikuara rezultatet zgjedhore dhe referendare në shumë vende. Ngjallja e nacionalizmit, populizmit, euroskepticizmit janë ndër të tjera edhe ndikim i këtyre faktorëve gjeopolitikë kundër euroatlantik.
Ndonëse mund të themi që nuk jemi në rendin e ‘Luftës së Ftohtë”, mund të deklarohemi pa hezitim që nuk jemi as në rendin e ri botëror. Rendi botëror po përjeton një tranzicion ku po bashkëjetojnë në mënyrë ballafaquese recidivat e ‘Luftës së Ftohtë’ dhe sindromat e rendit të ri, po konfrontohen interesat dhe doktrinat gjeopolitike me vlerat e tendencat integruese e globaliste.
Në këtë situatë Maqedonia është shndërruar në një rast me rëndësi ndërkombëtare. Nga pjesëmarrja në referendum dhe nga rezultati i tij do kenë benifitet më të mëdha qytetarët e Maqedonisë, do kenë më shumë paqe e stabilitet, më shumë demokraci dhe prosperitet ekonomik e social dhe do forcojnë pozitat e tyre në hapësirën euroatlantike nëpërmjet integrimit të shpejtë në NATO dhe avancimit të integrimit në BE. Gjithë Ballkani Perëndimor do ketë impakte pozitive nga pjesëmarrja e gjerë në referendumin në Maqedoni dhe vota pro tij. Kësisoj Maqedonia do të ndikojë që të afrojë më shumë gjithë rajonin tonë me familjen e kombeve euroatlantike.