REFLEKSIONE PËR LIBRIN 69 GRA TË ARBËR AHMETAJT
Nga Dr. Irena Gjoni
- Hyrje
Libri 69 Gra i Arbër Ahmetajt, mund të konsiderohet si një dhuratë e çmuar e autorit jo vetëm për lexuesit besnikë të tij me rastin e 25-vjetorit të botimit nga libri i parë në vitin 1993, por edhe për çdo lexues të kultivuar e potencial që e adhuron mjeshtërinë e rrëfimeve të shkurtra dhe që lehtësisht e gjen te ky libër. Është një botim i shtëpisë botuese prestigjioze Skanderbeg Books që në vite ka sjellë edhe librat e tjerë të Arbër Ahmetaj e ka rezultuar si një bashkëpunim shumë i suksesshëm. Në këtë vëllim janë përmbledhur 13 proza, që sipas autorit, vijnë si një Gërmadhë letrare: As tregime, as novela, aq më pak romane. Ky përcaktim, më rikthen në retrospektivë, pikërisht te fillesat letrare të Ahmetajt.
- Shenjimi i rrugëtimit letrar
Fryma imponuese e letërsisë cilësore dhe ndikimi i saj, shpesh herë krijojnë një marrëdhënie sa magjike, aq edhe të çuditshme me shpirtin njerëzor. Më tepër sesa e pashpjegueshme në dukje, vihen në lojë “receptorë” të nënndërgjegjes, sepse vetëm prej tyre mund të perceptohet gjithçka që është gatitur brenda unit të autorit nën efektet e muzës dhe jo vetëm, që të bëjnë ta njohësh, ta duash e ta vlerësosh atë vepër. Është pikërisht ky libër, ky impakt e kjo lidhje, që të jep besueshmërinë dhe garancinë e mëpastajme për të marrë në duar pa frikë veprat e radhës së të njëjtit autor dhe të ndiesh se prej tij e ke të garantuar kënaqësinë estetike.
Dhe pikërisht, kështu ka qenë takimi im i parë me autorin Arbër Ahmetaj dhe me librin e tij Fletëhyrje për në varr në vitin e largët 1994 (një vit pas botimit). Ishte koha kur një brez studentësh dhe dashamirës të letrave, të etur për një letërsi cilësore dhe jashtë kornizave të letërsisë së mëparshme, ditëm ta mirëprisnim këtë autor dhe veprën e tij, fragmente të të cilit ishin prezantuar si risi në shtypin e kohës. Perceptimi i parë ishte i një libri “ndryshe”, ku në vend të përcaktimit të llojit të prozës, vinte si nëntitull: Shënime për s’di se çfarë dreq vepre letrare. Jo vetëm për strukturimin e pazakontë, por edhe për idetë e pasura brenda lakonizmit, për fatet tragjike të personazheve, për rrugëtimin rrënqethës në ferrin shqiptar të dhënë përmes ferrit letrar të krijuar nga Ahmetaj, ku çdokush gjente sadopak nga shpirti i vet, Fletëhyrja për në varr u bë “fletëhyrja” e sigurt për një shteg të ri letrar të përfaqësuar nga Arbër Ahmetaj, ku gjurma e tij është origjinale, unike dhe e pangatërrueshme.
Kjo besueshmëri e garanci për të përcjellë vlerë, që u dha qysh me veprën e parë, do vijonte në gjithë rrugëtimin letrar të Arbër Ahmetajt, për të mbërritur deri te libri i fundit 69 Gra, që pata fatin ta lexoj në dorëshkrim.
- 69 Gra si mjeshtëri narracioni
Te libri 69 Gra, nënvizohen karakteristika dhe veçori të prozës, që e veçojnë Arbër Ahmetajn nga prozatorët e tjerë. Talenti i tij i lindur, përvoja e akumuluar, perceptimi i realiteteve (në mënyrë të vullnetshme, apo të pavullnetshe), aftësia e trillimit, mpleksen së bashku duke u përthyer në prizmin e tij artistik për t’u shfaqur përtej këtij prizmi me pamjen fisnike e sharmante të prozave të mrekullueshme që na ofrohen te ky libër .
Pra kur lexuesi ta marrë në dorë këtë vepër, do vërejë se ajo çka lexon përmes gjuhës nuk është vetëm materializimi i mendimit, por edhe pafundësi e shpirtit njerëzor. Kjo është udha e krijimit te kjo vepër, apo e zbulimit të vetvetes, e krijimit e rikrijimit të universeve te ndryshme (njerëzore a letrare), përmes narracionit plot ritëm të Arbër Ahmetajt.
Vihet re që secila prozë e librit 69 Gra, vjen unike edhe sipas dominantit tematik, edhe sipas dominantit strukturor me struktura kompozicionale të ndryshme, çka shenjohet si një nga vlerat e këtij vëllimi. Kjo larmishmëri në çdo aspekt, bën që këto proza të lexohen me një frymë, pa u kthyer në monotone e duke ruajtur magjinë e befasisë dhe dëshirën e zbulimit.
Aftësia e Arbër Ahmetajt është që përmes rrëfimit të tij, përmes teknikës së ndryshimit të strukturës së hapësirës dhe kohës, brenda 13 prozave të tij, të na çojë njëherësh sa me mungesë gravitacioni mbi qiejt e mjegulluar mes Francës, Britanisë dhe Irlandës, aq i sigurt në tokë në kushedi sa destinacione; sa në pyllin e fëmijërisë e shtëpinë buzë rrugës që çonte për në zonën e thellë të Lekbibajve, në metropolet e botës; sa në Dublinin e Xhojsit, në Ballkanin tragjik; sa në kohën e Ciklit të Kreshnikëve, aq në modernitetin e kohës së tij; sa në ndjesitë e para erotike të një adoleshenti, në përvojat e një burri dhe ndikimit të grave në jetën e tij; sa në lirinë e ndrydhur brenda një kryqi të fshehur në gji në një regjim të frikshëm, në hapësirat pa limit të mendimit të një qytetari të botës.
Funksioni estetik është mbizotërues te ky libër, por po kaq na shfaqet edhe funksioni njohës dhe kjo si një filozofi e autorit në zgjerimin e përmbajtjes së vizioneve për botën, por edhe si nevojë për zhvillimin e sistemeve të komunikimit, në këtë rast të komunikimit letrar. Autori sjell copëza bisedash për letërsinë, poetët, udhëtarët, siç ndodh te proza Dublinasit. Si në një palimpsest vijnë vizionet e fëmijërisë, ku fati i tyre është përcaktuar e shenjuar nga rrethanat e kohës si te proza Gëzuar Krishtlindjet. Bisedat spontane me nënën dhe kapërcimet e natyrshme tematike sa të veshura me një tis sinqeriteti fëmijëror dhe një urtie filozofike, duke u bërë pjesë të botëve të njëri – tjetrit, bartin atë lidhje të pakusht dhe të patjetërsueshme nënë – bir te proza Hëna kjo putanë kozmike. Notat e humorit duke ruajtur senset e masës, vijnë jo vetëm si një mjet për të shtensionuar situatat dramatike përgjatë narracionit, por edhe si një mënyrë këndvështrimi mbi to, si te prozat Fqinja jonë përvëluese, A mund të dashurosh kur vdes udhëheqësi etj..
- Dimensioni shpirtëror e psikologjik në botëperceptimin e realitetit
Çdo prozë, është një botëperceptim i realitetit si dhe ekzistencës shpirtërore, shpesh herë të kushtëzuar nga ky botëperceptim realiteti. Pra, situatat e gjendjet, vijnë prej realiteteve jetësore, ku gërshetimi i përthyerjeve të gjendjeve shpirtërore, mvishen nga Arbër Ahmetaj me një mantel gjuhësor për t’u pasur lakmi. Strukturat narrative janë të pasura me përshkrime situatash, personazhesh, ndjesi, botë shpirtërore, ashtu si dhe me komente. Në këtë kontekst, autori sjell burrin që kthehej në atdhe me të birin e vdekur, doktor Symeonidhis me rrëfimin e brengën e tij, Palamasin me madhështinë e përshkrimit të dhimbjes njerëzore, Halilin e Ciklit të Kreshnikëve të cilit të gjitha gratë i dukeshin si motra, udhëtarët e huaj në oborrin e tepelenasit të Janinës, therjen e hakmarrjen e pyllit, vajzën e vogël pa veshka të baladës, Poeten në dhomat e hotelit të Gjuetisë së Kontit Çiano, gratë e revoltuara me të cilat nuk do të punojë më, kamarieren e Madigan’s Pub me tatuazhin e Oskar-it ndër shalë, N.Gj. dhe historinë e burrit që ishte nisur për të kthyer nderin në vend, burrit të cilit diabeti ia kishte thyer tehun e sopatës, thyerjet e thella të dritës e të brigjeve mbi oqean, Xhejms Xhojsin dhe Betejën e Pashkëve tek Posta e Dublinit, gruan iliro-irlandeze që këndonte me harpë, Zhaklinën D., macet e botës së tretë, fqinjën përvëluese, marrëdhëniet vëllazërore, imazhet e trishta të jetës studentore, fatet e dashurive dhe jetëve njerëzore nën një regjim diktatorial etj.. Te të gjitha bie në sy dimensioni i analizës psikologjike, veprimi i brendshëm i personazhit duke u perceptuar nga narratori, i cili në pjesën më të madhe rrëfen në vetën e parë (me përjashtim vetëm në tri proza, nga një narrator i jashtëm). Gjithashtu, përshkrimi i ambienteve në këto struktura narrative, është i rëndësishëm dhe bëhet funksional duke shërbyer për të çuar më tej motivimin psikologjik të personazheve.
Njohja e vlerave etnopsikologjike të personazheve (shqiptarë, apo me etni të ndryshme), është shumë e dukshme te ky libër. Njëherësh jepen edhe të dhëna antropologjike që ndihmojnë në ndërtimin e lëndës tregimtare, apo në gjendjet e karakterizimet e personazheve, apo në situatat në të cilat ata vendosen brenda konteksteve të caktuara.
69 gratë që i dhanë titullin librit
Çdo prozë e këtij libri vjen me veçantinë dhe shkëlqimin e saj. Por si një sintezë e një pjese të rëndësishme të jetës së narratorit të këtij libri, vjen edhe proza që i ka dhënë titullin librit, 69 Gra. Duke i qëndruar besnike mungesës së klasifikimit të llojeve nga ana e autorit që në hyrje të tij, te kjo prozë është akoma më e vështirë të përcaktohet, nga mënyra se si e ka sjellë Arbër Ahmetaj imazhin e 69 grave. Mund t’i konsideroja si 69 bërthama narrative, të 69 tregimeve. Mund t’i konsideroja si 69 proza poetike me gjetje e detaje artistike shpeshherë të realizuara me një fjalor të përzgjedhur poetik. Mund t’i konsideroja si 69 personazhe gra të skicuara që me një rresht, deri në një paragraf, por jo më shumë. Ravijëzime portretesh të bëra në mënyrë shumë lakonike e të thuktë, por meritë e Arbër Ahmetajt është që edhe pse me kaq pak, mundet të japë individualitetin e origjinalitetin e pangatërrueshëm të secilës prej këtyre grave, si në imazh, si në historinë e intrigën që e identifikon.
Janë ravijëzime të bëra me shumë dashuri, pavarësisht nga rrethanat e “njohjes” me to. Ato lëvrijnë si nga hapësirat reale, hapësirat e legjendave, të historisë, të mitit, të fantazisë, të kombësive, rracave e moshave të ndryshme. Erosi është këndvështrimi që herë bëhet i dukshëm, i drejtpërdrejtë dhe herë i fshehur apo i kamufluar nën drita të tjera, por që nëpërmjet tij bëhet edhe vlerësimi në kompleksitet i qenies femërore me gjithë vyrtitet e anët e errëta dhe karakteristikat individuale që bart secila. Vërehet diskursi vlerësues dhe admirues për të parë e shijuar “të bukurën” edhe përmes errësirës.
Kjo renditje fillon me Anna 0, ku Ahmetaj shkruan: Të mora nga një aromë pragpranvere e të bëra grua, personazh në romanin tim. Tashmë ti ke mbetur e kurthuar mes faqeve të letrës dhe gishtave të lexuesve. Më fal, Anna! Se vetes nuk mund t’ia fal! Më pas vijnë gratë e tjera me individualitetin përkatës deri te numri 69 që nuk ka më një emër konkret si 68 të mëparshmet, por vjen si një përgjithësim: Të tjerat, ku Ahmetaj përfundon: Gratë e tjera të jetës time s’deshën të hynin në libër, por mbeten rebele, ashtu si ditën kur më thanë: JO! Ato nuk më deshën. Më kundërshtuan. Unë i kam dashur atëherë, i dua edhe sot. Në këtë renditje të 69 grave të Arbrit, duket sikur nuk ka ngelë model femëror pa u përfshirë dhe jo pa qëllim kjo prozë i dha edhe titullin librit.
Shoqërimi i ndonjë proze të librit me shënimin: Ngjarja e tregimit është reale me përjashtime të vogla, toponimet reale, inicialet e personazheve po realë, emra konkretë të personaliteteve të njohura nga fusha të ndryshme, kryesisht e letrave, vihen në funksion të dëshmisë së vërtetësisë së rrëfimit dhe besueshmërisë së këtij realiteti artistik, si për të krijuar një lidhje akoma më të ngushtë mes autorit e lexuesit. Në këtë linjë vjen edhe dedikimi i autorit në këtë libër si një mirënjohje: U kushtohet: Miqve të mi zviceranë që prej 21 vjetësh më janë gjendur me çiltësinë dhe miqësinë e tyre të çmuar, duke renditur shumë emra të miqve të tij që njëherësh janë edhe lexues të letërsisë së tij që për vlerat që posedon, prej vitesh i ka kapërcyer kufijtë me përkthimet në shumë gjuhë të huaja.
Pra si përfundim, pas leximit të librit 69 Gra të Arbër Ahmetajt, më gëzon fakti që ky libër nuk mbyllet me përfundimin e leximit të faqes së fundit, por të mban ende të mbërthyer pas vetes me përjetimet mbi të. Me rrëfimin e përkorë e plot ritëm, me konceptimin modern të bërthanave narrative që në gjenezë, me një shumësi strukturash kompozicionale, me mjeshtërinë e kapërcimeve shumë të natyrshme nga njëra situatë në tjetrën në vende e kohë të ndryshme, me galerinë e pasur të personazheve ku çdonjëra përvojë e përjetim nuk i ngjan tjetrit, me notat e humorit që të dhurojnë një ndjesi të këndshme buzagazi edhe në mes të tensionit dramatik, me fillin e dashurisë polisemantike që përshkon çdo ind të prozave, me ide të ngjeshura e me një larmi strukturash gjuhësore, stilesh etj., me këtë libër konfirmohet edhe një herë se Arbër Ahmetaj është një nga emrat më të rëndësishëm të letrave shqipe duke e çuar në një stad më tej e më të lartë prozën e shkurtër shqipe. Libri 69 Gra, nuk zhgënjen pritshmëritë e lexuesit i mësuar me një standart shumë të lartë që sjell proza e Arbër Ahmetajt, ndaj pa frikë mund tua sygjeroja të gjithë lexuesve që dinë ta shijojnë një letërsi cilësore, të cilët tashmë e konsiderojnë si një festë e ngjarje letrare ardhjen e çdo librit të ri të Arbër Ahmetajt.