Reflektime për filozofinë politike, kombëtare të Adem Demaçit
Prof. dr. Agim ZOGAJ
Demaçi, më 1963 e përpiloi doktrinën e shtetit etnik të shqiptarëve!
Një ndër personalitetet më emblematike, më universale, më kuptimplotë jo vetëm në rrafshin e mendimit e veprimit, por edhe të filozofisë politike, të filozofisë së lirisë, është Adem Demaçi. Demaçin e quajtën Mandela i Kosovës, Drajfusi i Kosovës, Simboli i qëndresës, Simboli i ribashkimit kombëtar, por Demaçi nuk është i jashtëzakonshëm vetëm në fushën kombëtare, të luftës për çlirim të popullit të Kosovës nga sundimi serb-jugosllav. Ishte i veçantë, dhe reflektues edhe në rrafshin e ideve të filozofisë politike, letrare dhe atyre humaniste, që i tejkalon kufijtë e shqiptarisë, Demaçi, pra, ky Institucion i Qëndresës sonë Kombëtare. Personalitet i cili, i dha shpirt e forcë popullit tonë edhe atëherë kur mendohej, se edhe Zoti na ka harruar, është një vlerë universale e historisë moderne të kombit shqiptar. Demaçi ishte ai i cili pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër atdhetarët e parë që, nga paraardhësit e Atdhetarisë Shqiptare, e mori flamurin e betejës së popullit të Kosovës dhe vëllezërve tanë në trevat etnike të ish-Jugosllavisë, për çlirim nga sundimi serbojugosllav, përkatësisht për bashkimin e Kosovës me Atdheun mëmë, Shqipërinë. Demaçi, përmes Programit politik, kombëtar të hartuar më 1964 në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, paralajmëroi se, është institucion kombëtar, sepse, në periudhat më të vështira të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, u ngrit mbi të gjitha stuhitë e kohës. Falë guximit të papërsëritshëm, falë vendosmërisë e cila e karakterizon vetëm atë, falë urtisë njerëzore deri në kufijtë biblikë, Demaçi bëri që nga disidenti dhe kryengritësi shqiptar i viteve ‘60, ‘70, ‘80 të arrijë që, në vitin 1998 të jetë Përfaqësues politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së së lavdishme me seli në Prishtinë. Derisa pushka e trimave të UÇK-së jehonte nëpër fushëbetejat e Kosovës, Demaçi nga Prishtina porosiste diplomatët e qendrave botërore të vendimmarrjes: ”… ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e pavarësi!”
Kështu fliste Adem Demaçi, kur në fushëbetejat e Kosovës dhe në tavolinat diplomatike të botës po ripërcaktohej fati i Kosovës. Demaçi e ndiente në shpirt frymëmarrjen e popullit, bir i të cilit ishte dhe do jetë përgjithmonë. Madhështia e Demaçit ishte dhe do të ngelë përherë, sepse, ai, që kur i hartoi Programin dhe Statutin e LRBSH-së /1964/, e njohu dhe e pranoi vetëm një rrugë: progresin dialektik, shoqëror dhe jo filozofinë e pritjes, jo lëmoshën, nënshtrim dhe, aq më pak, jo mëshirën kur ishte fjala për lirinë tonë kombëtare. Demaçi, në paragrafët e Programit politik të LRBSH-së, saktësonte se, liria nuk falej, ajo fitohej dhe se lirinë duhet merituar. Prandaj, Demaçi me bashkëmendimtarët dhe bashkëpatriotët e kohës, pikërisht në Programin politik të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve paralajmëronin: ”…Lufta jonë ka me qenë e gjatë… Na duhet të ngrihemi të gjithë, t’i dalim anmikut ballëpërballë dhe të luftojmë me te për jetë a vdekje!” Vizioni kombëtar i Demaçit u ngrit mbi filozofinë e tij politike e cila ngërthen tri ide themelore: – idenë e kombit, – idenë e lirisë dhe – idenë e barazisë. Prandaj, liria e individit dhe liria e përgjithshme janë strumbullari i filozofisë politike të Adem Demaçit. Ajo filozofi politike, e cila ishte lajtmotivi i rrugëtimit të Demaçit, i dha atij vendin e merituar në historinë tonë më të re, respect ndërkombëtar, i mundësoi që, me ballin lartë, në çdo kthesë të madhe kombëtare të jetë një shërbestar fisnik i popullit. Vet, Adem Demaçi, e kishte thënë: “Jam bir dhe ushtar i vogël i popullit tim të madh!”
Në historinë e rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës, në veçanti në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare, Demaçi reflekton më shumë se simbolikë, ishte më tepër se metaforë politike e atdhetarisë shqiptare, ishte shpirti, kuptimi, ideali i historisë së Lëvizjes Atdhetare Shqiptare e të kohërave moderne, e cila Lëvizje, si qëllim madhor e kishte Bashkimin e Kombit. Pra, që në vitet e rinisë së tij, Demaçi e përpiloi doktrinën për krijimin e shtetit etnik të shqiptarëve. Më 29 maj 1963, ndër të tjera e bënte kushtrimin skënderbegian: ”Vllazni e motra… Në emën të nji milion shqiptarëve që rënkojnë të robnuem…të bashkohemi të gjithë nën Flamurin e Skenderbeut dhe ta realizojmë ma në fund andrrën tonë shekullore…bashkimin kombëtar!” Demaçi si nga dimensioni kombëtar, historik dhe ai politik është institucion kombëtar. Në fakt, Demaçi, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër atdhetarët e parë, i cili nga paraardhësit e Atdhetarisë Shqiptare, e mori flamurin e betejës së popullit të Kosovës jo vetëm për çlirim nga sundimi serb-jugosllav, por, ishte i pari dhe më i guximshmi që idealin e shqiptarëve ta sublimojë, ta shpallë ( 9 shtator 1963 ) përmes Organizatës patriotike, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Ishte koha e Rankoviçit, e mbledhjës së armëve e shpërnguljeve për Turqi, kur Demaçi doli para epokës së robërisë duke thënë: Ja ku jam, historia po më thërret!
Demaçi është, një Flamur i ngritur
Mendimi, vizioni i tij, filozofia e tij politike, kombëtare nisej nga premisa e filozofisë kantine: “Ke guxim t’i shërbesh arsyes tënde!” Arsyeja e patriotit Adem Demaçi nënkuptonte: Atdheu mbi të gjitha! Gjithsesi, në edukimin e tij kombëtar, atdhetar, veç frymëzimit të historisë së qëndresës, ai e kishte në mendje e në shpirt përmbajtjen, vendimin e Nenit të parë të Programit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe të Dibrës aprovuar më 30 gusht 1920, ku bëhej thirrje: ”Me i dalë zot vetsundimit e tanësisë tokësore të Shqipnisë!” E kishte në mendje edhe Pikën 4 të Vendimit të Kongresit të NDSH-së mbajtur më 25 qershor 1945 në Lipovicë, ku jepej betimi: ”Që Shqipëria të formohej si shtet demokratik në të gjitha territoret etnike shqiptare…” Demaçit, në ato kohëra, kur populli shqiptar sërish gjendej para përballjeve dhe thirrjeve të historisë, po i vinte frymëzimi edhe nga idetë kombëtare, politike të mësuesit të Ilegales shqiptare në Kosovë, Metush Krasniqi, i cili ishte themelues, ideolog dhe prijës i Organizatës Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë, e themeluar në pranverën e vitit 1957.
Demaçi, i dënuar tri herë me burg, dënimin dhe burgun i ndiente, siç e thoshte, si detyrë dhe si borxh ndaj Atdheut. Me mendimin, vizionin e tij politik, kombëtar, Demaçi, ai luftëtar fisnik që nga vitet ‘50, përkatësisht ‘60, ‘70, ‘80, ‘90 dhe deri në çlirimin e Kosovës, ishte shndërruar në popull, për t’u bërë pastaj dritë dhe shpirt i Lëvizjes sonë Kombëtare, e cila kulmoi dhe shpërtheu me luftën dhe fitoren e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ideali, guximi, vizioni kombëtar, lufta e UÇK-së i bashkoi në një front dhe në një epokë të përbashkët të historisë së çlirimit, të lirisë, Adem Jasharin dhe Adem Demaçin.
Epoka e ndritur e Adem Demaçit u bashkua në një vizion kombëtar, me Epokën e kryekomandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. Bashkimi i këtyre dy epokave kombëtare, është fryt, rezultat i dialektikës së mendimit të atdhetarisë shqiptare, i shpirtit të papërkulur kombëtar, mbi të gjitha, ishte flakadan i Lëvizjës sonë Kombëtare për çlirimin e Kosovës nga sundim serb/ jugosllav. Epoka e Adem Demaçit ishte vazhdimësi e epokës së tribujve, kolosëve të Lëvizjës sonë Kombëtare, me ideologun e saj, Hasan Prishtinën, që mori hov nga viti 1912. Ndërsa, Epoka e Adem Jasharit, Epoka e UÇK-së së përndritur, ishte vazhdimësi, kurorëzim i lavdishëm i betejave titanike të Lëvizjës sonë Kombëtare, me ideologun e saj shpirtëror, filozofofik, atdhetar, Adem Demaçin. Në nëntorin e tretë shqiptar, të vitit 1998, në zemër të Dardanisë, në Drenicë, djepin e kryengritjeve shqiptare, nipat dhe stërnipat e Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Bajram Currit, Ismail Qemalit, Çerçiz Topullit, Isa Boletinit, Shaban Polluzhës, me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e bën histori, idealin e shenjtë kombëtar, të Adem Demaçit dhe brezit të tij! Djemt dhe vajzat sypatrembura të UÇK-së, i dolën përpara historisë, u lind, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nderi, krenaria më e ndritur e popullit të Kosovës, në shekullin e XX-të. Kryeideologun shpirtëror të Lëvizjës moderne për çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj, bashkimin me Atdheun në kufi, Adem Demaçin dhe Kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin i bashkoi historia e lirisë, një i njëjti ideal i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Bajram Currit, Azem Bejtës me bashkëluftëtarë! Lavdia e një epoke, bëri që, Adem Demaçi, në zjarrin e historisë së përgjakur t’ia dorëzonte, Adem Jasharit idealet e brezit të vetë, dhe t’i thoshte: Kryekomandant, jam ushtar i popullit tim, i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Çfarë madhështi biblike dhe njëherazi urti e Adem Demaçit, mendimi politik i të cilit, e shënoi epokën e rezistencës sonë kombëtare dhe përgatitjen, jo vetëm shpirtërore, për kryengritjën mbarëpopullore dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Në historinë shqiptare, Demaçi, i cili, përherë i ngjan një Flamuri të ngritur, është Rilindas i kombit, është institucion kombëtar, sepse, në periudhat më të lavdishme të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë, që nga themelimi i LRBSH-së, me Programin dhe Statutin e saj, u ngrit mbi të gjitha stuhitë e kohërave të luftës e të paqës.
/Fjalë në përurimin e librit, Programi dhe Statuti, Adem Demaçi, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve /