Reflektimi i zhvillimeve ndërkombëtare në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës

17 shtator 2019 | 10:47

Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari

ANALIZË (2)

Por, Kosova ka një mundësi të sillet si Serbia. Serbia ka krijuar një raport dual bashkëpunimi: në rrafshin ekonomik, financiar dhe zhvillimor me BE dhe ShBA, kurse politikisht dhe ushtarakisht me Federatën Ruse. Opsioni i Kosovës në këtë kontekst është të krijoj një raport dual politik, ushtarak, financiar dhe ekonomik në mes të Turqisë dhe Perëndimit. Një raport koalicioni ushtarak, financiar dhe tregtar me Turqinë do të ishte një opsion i mundshëm, me qëllim të sigurimit të mbijetesës. Megjithatë, subjektet politike të Kosovës, të mbështetura në mënyrë pothuajse plebishitare nga qytetarët, kanë zgjedhur orientimin pro ShBA, BE, NATO dhe Perëndimit, kundër një varianti të tillë dualizmi. Ky orientim strategjik është në linjë me traditën politike dhe kulturore që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (1405-1468) dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1851-1912), gjë që mund të arsyetohet me interesin e asaj që quhet dobi relative në marrëdhëniet ndërkombëtare (Powell 1991: 1303).

Në mes të nevojës për më shumë autonomi vetëvendosëse dhe asaj për më shumë siguri përmes aleancës me perëndimin, politika e jashtme e Kosovës duhet synuar një lloj drejtpeshimi funksional. Hyrja në aleancë me vendet e perëndimit sjell disa kufizime në sjellje dhe determinon një shkallë të lartë lojaliteti, por përfitimet nga ky orientim në fushën e sigurisë janë të pazëvendësueshme. Ndryshe nga pikëpamja e Waltzit, sipas të cilit “shtetet sekondare, në rast se janë të lira të zgjedhin, bashkëngjiten në anën e dobët; pasi që është pala më e fortë që i kërcënon ato” (Waltz 1979: 127), politika e jashtme e Kosovës i është bashkangjitur palës së fortë – NATO-s si subjekt, që garanton një shkallë të lartë sigurie. Procesin e bashkëngjitjes aleancës së fuqishme nga ana e shteteve të vogla e ka shpjeguar politologu amerikan Stephen Walt përmes hipotezës së tij të bashkëngjitjes  –  “bandwagoning”  (Walt 1987: 29).

Orientimi në unison pro NATO-s, BE-së dhe perëndimit shpesh shpjegohet gabimisht vetëm si rrjedhim logjik i mbështetjes që Kosova pati gjatë vitit 1999. Në fakt, kjo paraqet vetëm një element qenësor të së vërtetës, por jo gjithë të vërtetën. Në rastin e Kosovës dhe të Shqipërisë kemi të bëjmë më shumë me atë që Walt e quan Balanca e Teorisë së Rrezikut, engl. Balance-of-threat Theorie – BOT (Walt 1985: 3), sipas të cilës shtetet orientohen jo kundër aksit më të fuqishëm, por kundër aksit më të rrezikshëm për sigurinë e tyre nacionale. Në qoftë se perceptimi i politikës dhe publikut në Kosovë është se aleanca e Serbisë me Rusinë paraqet aksin më të rrezikshëm për interesat nacionale të Kosovës, atëherë lidhja me NATO-n si aks i kundërt në fushën e sigurisë është rrjedhim logjik.

Mësymja e politikës së jashtme të Kosovës për integrim në sa më shumë organizata ndërkombëtare është në linjë me teorinë liberale, përkatësisht variantin e saj institucionalist në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, ekziston një keqkuptim esencial në të kuptuarit e këtij procesi nga disa prej bartësve të institucioneve të politikës së jashtme të Kosovës. Vet ish-ministri i punëve të jashtme dhe zëvendëskryeministri aktual Enver Hoxhaj e mbron pikëpamjen se “shteti i Kosovës nuk e ka rrumbullakuar shtetësinë pa pranim në OKB” (Rubikon 2018). Në këtë koncept ne shohim një moskuptim të atributeve të shtetësisë, gjë që e venë në pah jo vetëm përfaqësuesit e teorisë realiste, por edhe ata të teorisë liberale, duke e konsideruar shtetin si aktorin më të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare në ambientin anarkik ndërkombëtar.

Duket që z. Hoxhaj nuk e merr parasysh Konventën e Montevideos, e cila i ka përcaktuar qartë parakushtet e shtetësisë: popullsi të përhershme, territor të definuar, një qeveri efektive dhe aftësia për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera (Convention on Rights and Duties of States 1933). Që nga 17 shkurti 2008 Republika e Kosovës i plotëson këto parakushte. Anëtarësimi në OKB nuk është parakusht i shtetësisë. Ja disa shembuj: Zvicra nuk ka qenë anëtare në OKB deri në vitin 2002, por askush nuk e ka konsideruar se e ka të papërmbyllur shtetësinë dhe sovranitetin. E njëjta gjë vlen për Republikën Popullore të Kinës, e cila është pranuar në OKB në vitin 1971, Republikën Federale të Gjermanisë, e pranuar në OKB në vitin 1973, Irlandën, Portugalinë, Shqipërinë, Bullgarinë, Hungarinë, të pranuara në OKB në vitin 1955 etj.

2.2. Rrafshi vendor

Ky rrafsh analitik i politikës së jashtme e ka burimin në teoritë e Thukididit, Machiavellit dhe Kantit, kurse sot e gjejmë edhe te Francis Fukuyama. Kanti shkruante se republikat janë më paqësore, kurse Fukuyama mbron pikëpamjen se demokracitë luftojnë më rrallë kundër njëra-tjetrës (Fukuyama 2006: 121). Element qenësor në orientimin strategjik të politikës së jashtme në këtë rrafsh është sistemi politik, ambienti gjeografik dhe shkalla e zhvillimit të shtetit. Në rrafshin vendor të analizimit të politikës së jashtme do të përfshijmë veçoritë e shtetit, raportin në mes të sistemit politik dhe shoqërisë, procesin e vendimmarrjes brenda sistemit politik e shtetëror etj.

Aktorë kryesor brendashoqëror në krijimin e politikës së jashtme të Kosovës janë partitë politike, individët me ndikim dhe grupet shoqërore, të cilët synojnë të ndikojnë opinionin publik duke i kalkuluar interesat brenda resurseve ekzistuese dhe vlerave politike të etabluara në shoqëri. Karakteristikë e qëndrimeve të partive politike të Kosovës është kalkulimi i interesave për mbështetje elektorale. Kjo ndikon edhe në rendin e rëndësisë së temave të politikë së jashtme.

Sipas politologut amerikan Robert Putnam qeveritë dhe vendimmarrësit luajnë rolin e ndërmjetësuesit në një proces negocimi (Putnam 1988: 431), i cili zhvillohet në mes të kërkesave të nduarduarshme nga ambienti i jashtëm dhe politika e brendshme. Në këtë kontekst Qeveria e Kosovës është e detyruar të ketë parasysh interesat e opinionit publik dhe nevojën e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Realizimi i interesave në politikën e jashtme nuk mund të bëhet pa mbështetje të gjerë të qytetarëve. Në të njëjtën kohë,Qeveria është e obliguar të sillet në mënyrë të përgjegjshme në raport me aktorët tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë kalkulim interesash, aktorët politikë vendimmarrës i balancojnë me kujdes interesat dhe jo rrallë tentojnë të manipulojnë opinionin publik, me qëllim të krijimit të hapësirës së tyre vendimmarrëse (Putnam 1988: 452).

Në historinë e re të Kosovës një shembull i tillë kalkulimi të interesave ka qenë Konferenca e Rambujesë, mbajtur në shkurt të vitit 1999. Në procesin e vendimmarrjes, me këtë rast, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rrethanat në të cilat duhej marrë vendimi. Delegacioni Kosovës negocioi në rrethana social-psikologjike të jashtëzakonshme – në rrethana lufte. Këto rrethana imponuan stres, presion, pasiguri, rreziqe dhe shumë ambiguitet. Delegacioni kishte shkuar të siguronte pavarësinë, kurse siguroi një lloj autonomie, duke nënshkruar se respekton integritetin territorial të Jugosllavisë së mbetur. Me këtë nënshkrim nuk arrihej dot pavarësia dhe as Republika. Por, përmes këtij nënshkrimi krijohej një situatë e re dhe e panjohur më parë – një lloj protektorati ndërkombëtar. Dhe hapej rruga për “një zgjidhje përfundimtare për Kosovën mbi bazën e vullnetit të popullit” (Weller 1999: 469).

Liria e shprehjes, mundësia e kritikës publike, domosdoshmëria e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare determinojnë një shkallë më të lartë kujdesi në veprim të bartësve të politikës së jashtme. Por, megjithëkëtë, në politikën e jashtme të Kosovës janë shfaqur tendenca për të imponuar veprime autokratike. Raste të tilla janë Marrëveshja e kufirit me Malin e Zi dhe ajo për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Përderisa e para kaloi, pas ndryshimit anë të Kryeministrit Haradinaj dhe partisë së tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një proces tejet të pakuptueshëm politik, e dyta është bllokuar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, duke konstatuar se “parimet, siç janë elaboruar në “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës” (Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës 2015).  Ky rast dhe rasti i dështimit të idesë së presidentit Thaçi për shkëmbim të territoreve, e cila u shpërfaqë në publik gjatë verës së vitit të kaluar me variante të ndryshme frazash politike, dëshmon se demokracia në Kosovë ka krijuar hapësirë për evitimin e gabimeve në politikën e jashtme.

Udhëheqësit e politikës së jashtme të Kosovës nuk i kanë shpjeguar me kujdes interesat dhe mundësitë në politikën e jashtme. Faktorë të caktuar institucional nuk kanë arritur të shmangin dihotominë në deklarim dhe veprim. Le të marrim dy momente interesante nën thjerrëzën analitike: Premtimet e pambulesë për liberalizimin e vizave dhe mungesën e konsensusit për veprim unik në politikën e jashtme. Që nga viti 2010 udhëheqësit e politikës së jashtme dhe ata të integrimeve evropiane publikojnë data precize para opinionit publik për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave. Premtimet dhe përcaktimi i datave dhe afateve kohore u treguan vazhdimisht të pabaza. Në këtë provim kanë rënë edhe disa burokratë të Bashkimit Evropian. Deri në gjysmën e dytë të vitit 2019, kur po shkruhet kjo analizë, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka ndodhur. Politikanët e Kosovës bënin deklarime publike për efekte elektorale, kurse burokratët e BE për të nxitur parlamentin e Kosovës për të ratifikuar Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi. Të dy palët ranë në provim para qytetarëve të Kosovës. Mekanizmi i komplikuar i vendimmarrjes në strukturat e BE nuk lejon një siguri të tillë deklarative publike.

Rast identik është mungesa e konsensusit në lidhje me politikën e jashtme të Kosovës, e shpërfaqur në koalicionin aktual qeverisës. Presidenti Thaçi mbështet shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa të gjitha subjektet tjera politike janë kundër. Kryeministri Haradinaj tregohet konsekuent në mbajtjen e taksës 100 për qind kundër mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, përderisa presidenti Thaçi, PDK, LDK, Nisma dhe AKR janë deklaruar për suspendimin, përkatësisht heqjen e saj. Kryeministri Haradinaj në këtë çështje ka mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje! në opozitë. Kjo gjë bëri, që në Samitin e Berlinit Thaçi dhe Haradinaj të shkonin të përçarë, dhe rrjedhimisht të përfaqësonin shumë dobët interesat e Republikës së Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi publikisht se në Berlin është përballur me presion të madh nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës (Deutsche Welle 2019). (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA  Më duhet të bëhem serioz…