Reforma fiskale në Kosovë ul varshmërinë e bizneseve ndaj kredive të bankave komerciale
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Ekonomia e një shteti kërkon dialog, unitet politik dhe bashkërenditje me të gjithë akterët relevantë pa dallim përkatësie politike apo partiake, në veçanti të merren rekomandimet e profesionistëve të fushave përkatëse.
Kritikat dhe rekomandimet e ekspertëve nuk janë armiqësi por mënyra të të mësuarit dhe të avancimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
Parametrat ekonomikë janë shqetësues në çdo aspekt dhe ky realitet duhet të pranohet në qoftë se mendohet të ndryshohet apo përmirësohet ky shqetësim në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Sektori bankar në Kosovë ka luajtur një rol substancial në zhvillimin ekonomik. Përveç kontributit ekonomik, social, integrues, digjitalizimit dhe ndërkombëtarizimit, sektori bankar ka krijuar kuadro dhe akademi bankare të standardeve të larta ndërkombëtare.
Kohëve të fundit lexohen shkrime e komente për fitime të larta të bankave komerciale në Kosovë, që është e vërtet, por askush nuk e paraqet faktin se Kosova ka nevojë për reformë fiskale e cila do të jetë në mbështetje të sektorit privat duke ulur varshmërinë e tyre nga bankat komerciale.
Ka vite që nuk ka asnjë lëvizje në politikën tatimore në Kosovë. Tatimi i vlerës së shtuar (TVSH) në import me urgjencë duhet të ndryshohet, me qëllim që t’u mundësohet kompanive vendore që ta paguajnë TVSH-në pas një periudhe kohore, qoftë 60 ditore apo 90 ditore dhe jo menjëherë pasi të hyjë në kufi.
Një hap i tillë do t’u krijonte kompanive një likuiditet shumë të madh dhe një mundësi shumë të madhe për ta rritur aktivitetin biznesor dhe për të shtuar qarkullimin. Bizneset ende në vitin 2023 janë të dënuara për të paguar tatimin e vlerës së shtuar për mallin që e importon në Kosovë ende pa e shitur te konsumatori, dhe me këtë veprim biznesi ende e krediton shtetin.
Me këtë politikë biznesi detyrohet të marrë kredi dhe t’i nënshtrohet interesave të over-drafteve dhe shpenzimeve ekstra të institucioneve financiare, në veçanti kohëve të fundit adresimi i kërkesave edhe tek institucionet mikro-financiare ku paguhen kamata edhe më të larta.
Një rekomandim tjetër është që të shihet se si të reduktohet vlera e tatimit të shtuar te disa produkte që do të ndikonte në mënyrë direkte në jetën e qytetarëve në këtë kohë inflatore.
Çmimet e produkteve të konsumit ditor po rriten dhe duhet zgjeruar numri i atyre produkteve dhe të ulet norma e tatimit si ndihmë për qytetarët në këtë kohë të ngritjes së çmimeve, por jo edhe pagave e pensioneve.
Jemi shndërruar në shoqëri të varur nga importi dhe duhet bërë çmos në përmirësimin e bilancit të pagesave. Në këtë drejtim ndryshimet në tatimet doganore do të ndikonin në zbutjen e inflacionit dhe rritjen e prodhimit vendor.
Tatimi doganore duhet të hiqet edhe për disa produkte që marrin pjesë në procesin e prodhimit dhe finalizimit të produkteve “Made in Kosova” ose që janë pjesë përcjellëse të teknologjisë së nevojshme për prodhim apo finalizim të produkteve vendore.
Këto reforma mundësojnë frymëmarrje ekonomike për bizneset vendore dhe një distancim gradual nga varshmëria e bankave komerciale të cilat po e shfrytëzon këtë situatë, sepse në Kosovë dominon agjenda politike e për reforma fiskale e ekonomike nuk mendon askush.
Është koha e fundit që ekonomia e Kosovës të jetë prioritet institucional e qeveritar dhe jo eksperiment politik që shkon në dëm të qytetareve dhe ardhmërisë.