Reforma në drejtësi, nevojë e kohës, apo temë për konsum politik
Berat Peci, avokat
Se është i brishtë sistemi i drejtësisë te ne tashmë është thënë shumë herë, edhe nga monitoruesit e institucioneve të drejtësisë, shoqëria civile, por edhe shumë organizata serioze që merren me publikimin e raporteve nga kjo fushë. Tashmë pothuajse janë bërë rutinë skandalet në sistemin e drejtësisë tonë, duke filluar me raportimet për parregullsitë në menaxhimin e lëndëve në institucionet tona të drejtësisë e deri te rastet tashmë të njohura mediale.
Reforma në drejtësi parashikon një serë masash për rivlerësimin dhe riverifikimin e punonjësve të sistemit të drejtësisë, proces ky i njohur si procesi i Vetingut.
Në kohën e fundit te ne në Kosovë ka filluar të qarkullojë në opinionin publik ideja e Vetingut. Duke u nisur nga kjo, lind pyetja shumë e logjikshme?
A është iniciativë serioze për ta bërë pastrimin e sistemit të drejtësisë nga njerëzit që janë të thirrur për të vënë drejtësi, e vet janë të ndjekur nga drejtësia, apo është temë e krijuar për konsum ditor politik, e jo ide serioze për ta nxjerrë sistemin e drejtësisë nga kjo gjendje në të cilën është. Termi Veting, para së gjithash, për shumëkënd, është edhe i paqartë si i tillë, sidomos për opinionin e gjerë.
Fjala veting rrjedh nga gjuha angleze “vetting”, që do të thotë kontroll i hollësishëm i figurës së dikujt përpara se t’i ofrohet një pozicion pune, titull, pozitë. Për të pasur sukses ky proces i verifikimit, do të duhej ta përfshinte verifikimin në tri drejtime: verifikimin e pasurisë, të figurës-personalitetit dhe vlerësimin profesional.
Vlerësimi i pasurisë: çdo subjekt duhet t’i nënshtrohet vetëdeklarimit, pastaj kontrollit të të gjitha pasurive të tij dhe personave të lidhur me të (familjarëve drejtpërdrejt). Subjekti duhet t’i justifikojë pasuritë e tij mbi bazën e burimeve të ligjshme. Burime të ligjshme do të konsiderohen vetëm të ardhurat e deklaruara, për të cilat ka paguar taksat. Nëse pasuria e deklaruar apo e zbuluar është më e madhe se dyfishi i të ardhurave të ligjshme, individi paramendohet fajtor dhe përjashtohet nga sistemi, nëse nuk arrin të vërtetojë të kundërtën.
Vlerësimi i figurës dhe personalitetit: çdo subjekt do të bëjë fillimisht vetëdeklarim për figurën e tij, pastaj do t’i nënshtrohet verifikimit të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, e nëse verifikohen kontaktet e tilla, individi paramendohet fajtor dhe shkarkohet menjëherë, nëse nuk arrin ta vërtetojë të kundërtën.
Vlerësimi i aftësive profesionale: çdo subjekt do t’i nënshtrohet vlerësimit të aftësive për të gjykuar (për të hetuar e ngritur akuzë në rastin e prokurorëve), aftësive organizative.
Subjekti që do të vlerësohet se ka mangësi, të cilat nuk mund të korrigjohen përmes edukimit, do të shkarkohet menjëherë.
Praktikë e mirë për Ligjin mund të merret implementimi i tij në Shqipëri ku, sipas organizatave të huaja që e monitorojnë sistemin e drejtësisë atje, e vlerësojnë si nismën më të qëlluar ligjore që ka marrë ndonjëherë ky shtet, si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. Duke mbetur ende në Republikën e Shqipërisë, atje kanë paraparë që këtë proces ta monitorojnë organizmat e specializuar ndërkombëtar.
Në Ligjin për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë thuhet se qëllimi i këtij është të përcaktojë rregulla të qarta për ta garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimit të besimit të qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.
Kjo formë do të ishte e përshtatshme të përdorej edhe te ne, sidomos monitorimi nga ndërkombëtarët të këtij procesi mjaft të ndjeshëm e jetik, për një sistem të drejtësisë ligjor. Duke e parë nevojën e madhe për reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë në Kosovë, veprime konkrete në pastrimin e figurave që janë pjesë e sistemit të drejtësisë, shpresojmë se kjo iniciativë të jetë serioze e duke ia besuar profesionalistëve me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë në përmbylljen e këtij procesi dhe që kjo iniciativë të mos mbetet vetëm një temë e krijuar për konsumim ditor politik.