REFORMA POLITIKE PËR ORARIN E PUNËS

12 prill 2019 | 14:56

Salihe Salihu – PhD kandidat

Kosova si shtet i ri ka qenë për një kohë të gjatë në tranzicion në shumë segmente të jetës shoqërore dhe, siç po duket, ende faza e tranzicionit nuk është tejkaluar. Në ndryshimet e ndodhura mund të themi se ka mjaft anë pozitive, por nuk mund të mos pranojmë se ka edhe defekte që na kanë përplasur shpeshherë drejt lakmisë dhe pangopësisë. Sidoqoftë, në këtë shkrim nuk do të merremi me matjen e të mirave e të këqijave gjatë kësaj faze, por do të nxjerrim në sipërfaqe një segment jetësor, që është më se i domosdoshëm për shoqërinë. Ky segment ka të bëjë drejtpërdrejt me kohë zgjatjen e orarit të punës. Prandaj shkurtimisht do ta nxjerrë në shqyrtim këtë çështje sepse me këtë duhet të merren organet kompetente që ta rregullojnë çështjen në fjalë përmes ligjit apo ndonjë akti normative. Ne jemi të vetëdijshëm që në vendet perëndimore të punohet jashtëzakonisht shumë, por politikat reformues për punë janë të aplikueshme. Në vendet perëndimore ekzistojnë alternativa për përshtatjen e punës ndaj punëtorit apo përshtatjen e punëtorit ndaj punës e cila arrihet me marrëveshje. Në këtë mënyrë kohëzgjatja e orarit të punës është e përcaktuar me përqindje në disa nivele si dhe me mundësi fleksibile.

Çfarë nënkupton mundësia fleksibile?

Para së gjithash duhet sqaruar se krijimi i mundësisë për të punuar me fleksibilitet në vend të punës ka anët pozitive që, sipas matjeve të bëra, përfitimet janë të dyanshme si për punëdhënësin, po ashtu edhe punëmarrësin. Puna fleksibile është një mundësi e llojit të punës që mund të përshtatet orari dhe vendi i punës sipas marrëveshjes dypalëshe. Ky lloj i punës është shumë i leverdishme, njëkohësisht edhe domosdoshmëri për të funksionuar si shoqëri bashkëkohore.

A mund të arrihet fleksibiliteti në shoqërinë tonë?

Natyrisht se çdo që e re kërkon vetëdijesim paraprak, por duhet të shihet nga prizmi që kjo metodologji fleksibile e punës nuk i sjell pasoja askujt, por është e frytshme për përshtatjen e jetës sonë karshi standardeve jetësore. Kështu që, kjo arrihet thjesht dhe përgjegjshëm duke ngrehur moralin e punës dhe duke kultivuar kulturën e punës. Më konkretisht mund ta ilustrojmë se si mund të duket puna fleksibile në praktikë. Për shembull, një punë që mund të kryhet brenda 24 orëve mund ta fillojë punën herët në mëngjes, në mesditë apo në orët e pasdites, por puna duhet të kryhet sipas kohës së caktuar. Kjo arrihet në marrëveshje dypalëshe, punëdhënës – punëtor. Përveç orarit të kohës së punës, gjithashtu puna mund të kryhet edhe jashtë vendit të punës, por kjo mënyrë e funksionalizimit është e ndërvarur me natyrën e punës. Varësisht se çfarë lloj pune është mund të lejohet edhe puna prej shtëpie, për shembull ata që merren me shkrime, menaxhojnë përmes telefonit apo mund të përdorin mjete të tjera të punës. Por ka lloje të punëve që duhet të kryhen vetëm nga vendi i punës, kështu që fleksiliteti duhet të jetë i buruar nga argumentimi me arsye të shëndoshë, që të mbështetet kjo qasje e re e punës në shoqërinë tonë.

Pse orari më i shkurtër i punës?

Format e tjera të punës duhen, po ashtu, të fillojnë të startojnë në Kosovë. Shoqëria kosovare është duke e zhvilluar një sistem ku një familje nuk mund të sigurojë të ardhura ekzistenciale vetëm nga burri, por është e nevojshme të punojë edhe gruaja krahas burrit. Kjo ngarkesë zakonisht po bie më shumë mbi gratë të cilat duhet të punojnë me orar të plotë sikurse burrat. Ky standard nuk është i dobishëm as për familjen e as për shoqërinë. Ndryshime duhet bërë sa më shpejt që mundemi për t’i shmangur pasojat që do të përballet familja e shoqëria. Ky ndryshim është i nevojshëm sepse një çift, burrë e grua që kanë fëmijë, nuk mund të kenë përkujdesjen e duhur ndaj fëmijëve dhe familjes pasi që orari i punës tetëorësh lodh prindërit dhe nuk mund të jenë optimalë për t’u marrë me kapacitetet e nevojshme me fëmijët e tyre.

Për nevojat e mbikëqyrjes familjare dhe për një shoqëri me breza të shëndoshë duhet të rishikohen politikat e orarit të punës. Duhet të fillohet me mundësi të përzgjedhjes së punës me përqindje, 30 %, 50 %, 70 % apo 100 %. Kjo u krijon mundësi çifteve të përcaktohen për sa për qind dëshirojnë të punojnë. Përveç familjarëve, ka edhe njerëz që kanë probleme të tjera shëndetësore dhe nuk mund të punojnë me orar të plotë. Kjo do t’u mundësonte atyre që të mos kërkojnë pushim mjekësor dhe të pasivizohen për shkak të problemeve shëndetësore. Pos këtyre leverdive të lartpërmendura, leverdi tjetër me orar të shkurtër është se do të hapen vende pune edhe për të tjerë të papunë që të jenë kontribuues për familjen dhe shoqërinë tonë.

Në përgjithësi modalitetet e përmendura janë shumë të frytshme në të gjitha dimensionet e jetës bashkëkohore dhe mund të shkruhet shumë rreth kësaj teme, por me rëndësi është që të prezantohet substanca e nevojës për reformat politike të punës dhe që të guxojmë të fillojmë shpalosjen e mendimit rreth kësaj praktike.

Vetëkuptohet që për ta implementuar këtë praktikë duhet të jenë mekanizmat kontrollues derisa të disiplinohen punëtorët për këtë model, por inkurajues për këtë duhet të jenë institucionet shtetërore të cilat bartin përgjegjësi që të mbjellin e kultivojnë këtë qasje alternative të punës që është shumë e dobishme dhe e nevojshme për shoqërinë tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pamela Anderson ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të bashkëthemeluesit të…