Reforma zgjedhore nuk mund të përfundojë këtë vit
Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, e ka quajtur të drejtë veprimin e shoqërisë civile për ta pezulluar pjesëmarrjen në punën e Komisionit Parlamentar Ad Hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Ai ka thënë se kjo notë proteste është shenjë alarmuese se Ligji për financimin e subjekteve politike asnjëherë nuk ka arritur ta realizojë synimin e tij.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Baraliu ka shprehur skepticizëm se procesi i reformës zgjedhore mund të përfundojë këtë vit.
Ai ka thënë se pa seriozitet politik dhe pa profesionalizëm nuk do të ketë reformë zgjedhore të mirëfilltë këtë vit
“Epoka e re”: Z. Baraliu, si e komentoni pezullimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Komisionit Parlamentar Ad Hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor?
Baraliu: Është një shenjë që gjërat nuk shkojnë mirë sikurse edhe në shumë fusha të tjera, veçanërisht në reformën zgjedhore e cila është proklamuar me një marrëveshje politike para 7-8 vjetësh nga tri subjekte politike me formimin e komisioneve parlamentare për ta trajtuar këtë çështje. Në këtë proces është punuar gati dy vjet, me ç’rast janë ndryshuar dhe plotësuar Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale, sepse ka qenë i nevojshëm ndryshimi i tyre, sidomos i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që është konfuz dhe kontradiktor në dispozitat e tij. Mirëpo në mungesë të dëshirës për t’i lënë përfitimet që i ka kjo kastë politike dhe lidershipi i partive politike, nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm që të pranohet ajo reformë dhe ka ngecur çdo gjë në vend. Prej asaj kohe kemi shumëçka për të dëshiruar në legjislacionin zgjedhor, në përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe në procesin zgjedhor. Prandaj, pezullimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në këtë komision e konsideroj veprim adekuat, të drejtë dhe shenjë alarmuese sepse Ligji për financimin e subjekteve politike asnjëherë nuk ka arritur ta realizojë synimin e tij për shkak se nuk janë bërë transparente për opinionin dhe për medie burimet e financimit as nga jashtë e as nga brenda. Klasa politike nuk është e interesuar të ketë një ligj i cili do të t’i detektonte të gjitha pikat dhe burimet e financimit të subjekteve politike. Si reaksion i kësaj është edhe protesta e shoqërisë civile dhe është me të drejtë bojkotimi i tyre në punën e komisionit përkatës.
“Epoka e re”: Mendoni se do ta vazhdojë punën ky komision pa praninë e shoqërisë civile apo do të ketë reflektim nga deputetët?
Baraliu: Në këtë vend, fatkeqësisht, edhe me përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe faktorit vendor, shumë herë shoqëria civile nuk është respektuar sa duhet në qoftë se nuk instrumentalizohet. Nëse nuk i përvetësojnë përmes donacioneve dhe përkrahjeve të ndryshme, atëherë shoqëria civile, që është një faktor shumë i rëndësishëm, nuk respektohet. Dhe meqë nuk respektohet në gama të caktuara, atëherë nuk është çudi që edhe kësaj radhe ky komision dhe vetë struktura parlamentare mund të mos e vrasin mendjen dhe të mos shqetësohen nëse janë apo jo të pranishëm përfaqësuesit e shoqërisë civile në punën e këtij komisioni. Roli i shoqërisë civile dhe medieve është i pazëvendësueshëm në një shoqëri e cila pretendon të jetë serioze dhe zhvillimore në kuptimin e arritjes dhe përforcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, ashtu siç ka nevojë shtet ynë. Prandaj, do të duhej ta çmonte shumë më shumë rolin, rëndësinë dhe praninë e shoqërisë civile në aktivitetin legjislativ.
“Epoka e re”: Me apo pa shoqërinë civile, si e shihni ecurinë e procesit të reformës zgjedhore?
Baraliu: Me këtë klasë politike e cila ka qenë e përkëdhelur në një mënyrë apo në një tjetër për shkaqe të caktuara nga segmente të caktuara të administratës ndërkombëtare, edhe përmes legjislacionit elektoral që është në fuqi, pastaj krijimi i pozicioneve të tyre strategjike dhe dobia për t’i pasur ato privilegje, mendoj se është shkaku kryesor që mund të ndikojë që të mos ketë as vullnet politik e as vullnet institucional për reformë zgjedhore esenciale dhe substanciale. Do të doja që të jem i gabuar dhe të mos ndodhë kështu, por bazuar në të gjitha këto vite, nuk kam shpresë që do të ketë mjaft vullnet dhe energji pozitive për ta përmbyllur njëherë e mirë reformën zgjedhore. Reforma do të duhej bërë jo vetëm përmes ndryshim-plotësimit të ligjit dhe bërjes së ligjit të ri për financimin e subjekteve politike por, në radhë të parë, përmes një ligji të ri që është i gatshëm për zgjedhjet e përgjithshme dhe një ligji për zgjedhjet lokale i cili do të duhej të ishte i sublimuar në një kod zgjedhor në të cilin do të rregulloheshin pastaj edhe çështjet e financimit të subjekteve politike dhe ato materie të cilat janë të rregulluara me të ashtuquajturat rregulla zgjedhore të KQZ-së. Është shumë e rëndësishme që në këtë reformë të përfshihen të gjithë, përfshirë këtu shoqërinë civile, botën akademike dhe ekspertët.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh këto zhvillime, sa ka gjasa që para zgjedhjeve të përfundojë reforma?
Baraliu: Në qoftë se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe të gjitha gjasat janë se në vjeshtën e vonë mund të ketë zgjedhje, atëherë nuk ka kohë për reformë zgjedhore. Ky proces nuk është lojë dhe nuk është punë që bëhet për dy-tri javë apo dy-tre muaj. Mirëpo nëse kjo qeveri e çon deri në fund mandatin atëherë ka kohë mjaft që të merret seriozisht puna e reformës zgjedhore. Për mendimin tim, është koha e fundit që të bëhet reforma zgjedhore. Fatkeqësisht, njëra prej shkaqeve të krizës në Shqipëri është pikërisht mungesa e reformimit të sistemit elektoral, respektivisht marrëveshjet e brendshme të disa subjekteve kryesore të cilat kanë vënë bazamentet e një sistemi i cili gjithsesi nuk është më i miri dhe iu shkakton probleme partive të vogla. Reforma duhet bërë për të mirën e të gjithëve. Por, para reformës zgjedhore duhet të ndodhë reformimi i partive politike.
“Epoka e re”: Mungesa e reformës mund të prodhojë sërish kriza politike në Kosovë?
Baraliu: Patjetër, sepse është një prej pengesave kryesore. Mungesa e kësaj reforme u mundëson partive politike vazhdimin e përfitimit të privilegjeve dhe përfitimeve të ndryshme.
“Epoka e re”: Pra, për këtë vit janë shuar shpresat se mund të përfundojë ky proces?
Baraliu: Nëse punohet seriozisht, duke konsultuar shkencën, duke konsultuar përvojat e sistemeve të vendeve përreth nesh, atëherë mund të ndodhë reforma. Por, duke pasur parasysh këtë gjendje, nuk mund të presim që shpejt e lehtë të bëhet një reformë aq më tepër kur te ne shumë pak respektohen shkenca dhe profesionalizmi. Siç e theksova edhe më herët, reforma e mirëfilltë zgjedhore nuk bëhet për disa muaj apo disa javë. Prandaj, për mendimin tim, pa seriozitet politik dhe institucional si dhe pa profesionalizëm nuk do të ketë reformë zgjedhore këtë vit. Mirëpo mund të ketë improvizime siç dinë t’i bëjnë përfaqësuesit e kësaj klase politike dhe këtyre institucioneve shkel e shko dhe shpejt e lehtë, por jo diçka substanciale që kërkon dije, kohë, përkushtim dhe patriotizëm ndaj shtetit. Në mungesë të kësaj e kemi këtë gjendje në shtetin tonë. Mirëpo është koha e fundit që të ndryshojë rrënjësisht edhe koncepti, edhe qasja e kësaj klase politike dhe e institucioneve të saj në mënyrë që seriozisht t’i marrin gjërat, ta kuptojnë përgjegjësinë që e kanë dhe jo të merren me vetveten duke krijuar gangrena të caktuara dhe ganglione politike për t’i mbrojtur pozicionet e tyre dhe avazin e vjetër. Nëse vazhdohet me këtë avaz, Kosova u zbrazë dhe kjo klasë politike duhet ta kuptojë se për çdo ditë qytetarët janë gjithnjë e më të pakënaqur dhe se këta do ta kenë gjithnjë e më vështirë nëse nuk ndryshojnë konceptualisht dhe esencialisht.
Shqipe HETEMI