Reforma zgjedhore pret disponimin pozitiv të partive politike
Reforma zgjedhore në Kosovë do të mbetet peng i vullnetit politik, sikurse edhe shumë procese tjera që kanë filluar, por nuk janë përmbyllur për shkak të mungesës së harmonizimit ndërmjet subjekteve politike.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, thonë se ende nuk ekziston vullneti i duhur politik për të bërë një reformë zgjedhore.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se kjo çështje është duke u përfolur që prej vitit 2011.
Sipas saj, asnjë nga qeveritë dhe as qeveria aktuale nuk kanë shprehur interesim të dukshëm për të bërë reformën e kërkuar për sistemin zgjedhor.
“Ata janë bartësit e reformës zgjedhore sepse nga parlamenti nga partitë politike të cilat janë në pushtet gjithmonë varet se a do te kemi reformë zgjedhore apo jo. Përderisa nuk po lëvizë asgjë unë nuk shoh që ka ndonjë gatishmëri politike nga kushdo qoftë që të filloj reforma”, ka thënë Daka.
Presidenca e Kosovës, kishte formuar një grup punues për ketë çështje dhe sipas zyrës për media nga presidenca, grupi ka kryer punët që kishte për obligim rreth kësaj çështje.
“Grupi punues i formuar nga presidenti për reformën zgjedhore, i përbërë nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, e ka kryer punën e vet. Janë finalizuar propozimet e tyre për ndryshimet zgjedhore dhe tani nevojitet vetëm konsensusi i subjekteve politike për të përfunduar në tërësi ky proces”, është thënë në një përgjigje me shkrim nga Zyra për Informim e Presidencës.
Eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se partitë politike, konkretisht liderët e partive nuk duan që të ketë një sistem të reformuar zgjedhor, pasi që siç thotë ai nuk duan që t’i humbin privilegjet dhe pozicionet që i kanë.
Ai ka thënë se sistemi aktual u përgjigjet elitave politike, dhe se ata nuk duan as një transformim të brendshëm demokratik.
“Me vite dhe dekada të njëjtit njerëz në krye të të njëjtave parti e kështu me radhe ose afërsisht të njëjtit me përjashtime të disa subjekteve politike që kanë ndodhur ndryshimet…atëherë kjo është qasja konservative mungesa vullnetit politik dhe institucional që thjesht të ketë dyshime, të ketë reformime të sistemit dhe të ketë avancime për arsye se proceset elektorale dhe kjo gjendje legjislative sjellin shumë probleme në zbatimin dhe përmbylljen e proceseve elektorale, prandaj nëse e shohim në tersi nuk duan t’i humbin privilegjet dhe pozicionet që i kanë dhe që u sjell ky legjislacion e sistem elektoral elitave, udhëheqjeve politike të subjekteve politike kryesore, pra ato më të mëdhatë”, është shprehur Baraliu.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka konsideruar si të nevojshme dhe të domosdoshme përfundimin e reformës zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme.
Blerta Aliu, koordinatore për marrëdhënie me publikun në KDI, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kohëve të fundit organizata me projektet e saj ka punuar edhe me shoqërinë civile, por edhe me partitë politike për të marrë qëndrimet e tyre lidhur me elementet specifike të reformës zgjedhore.
“Partitë e përkrahin reformën, megjithatë ajo që vërehet është se nuk ka një qëndrim unik tek partitë lidhur me kohën se kur duhet të mbahet. Opozita po kërkon zgjedhje përderisa pozita po kërkon reformë para zgjedhjeve. Në anën tjetër kemi edhe presidentin që pati iniciuar çështjen e reformës, megjithatë nuk është duke u marrë në vazhdimësi me këtë çështje. Duket se ka ngecur iniciativa e tij”, ka thënë Aliu.
Aliu ka thënë se partitë politike deklarohen se janë për ndryshime dhe reformë zgjedhore, por ato nuk e kanë prioritet atë kur është fjala për të zbatuar një gjë të tillë.
“Agjendat e partive politike janë duke dalluar. Partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje dhe normalisht që nuk e kanë fare prioritet që të merren me reformën zgjedhore. Ata thotë se tek pas zgjedhjeve të ardhshme mund ta iniciojnë si çështje të mblidhen dhe t’i rregullojnë elementet e caktuar të sistemit zgjedhor, përderisa partitë në pushtet duan që ky proces të iniciohet paraprakisht në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të shpejta”, ka thënë Aliu.
Njohësit e sistemit zgjedhor kanë thënë se duke pasur për bazë që në secilin proces zgjedhor janë vërejtur probleme, dhe kjo sipas tyre, në mungesë të ndryshimit të ligjit, reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i institucioneve shtetërore.
KDI-ja ka zhvilluar një pyetësor për subjektet politike kryesore në vend, me anë të së cilit janë marrë preferencat për elemente specifike që duhet të përfshijë reforma zgjedhore.