Reforma zgjedhore, të gjitha partitë të një fjale – drafti i komisionit gati të dërgohet në Kuvend
Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë, ka mbajtur punëtorinë e fundit në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë nga KQZ-ja, OSBE-ja, përfaqësues nga ambasadat e huaja, etj.
Në këtë mbledhje janë prezantuar dhe diskutuar rekomandimet e KQZ-së.
Kryetari i komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë, Abelard Tahiri, ka thënë se konsensusi brenda partive ekziston dhe se janë të gatshëm që së shpejti draftin ta dërgojnë për në Kuvend.
“Kemi një lloj konsensusi brenda këtij komisioni ad-hoc për trajtimin e çështjeve të rëndësishme e të cilat do ta bëjnë edhe më efikas këtë proces”.
“Ne e kemi përmbyll me një afat të caktuar dhe besoj që kjo do të jetë punëtoria e fundit para se të fillojmë me draftimin e Ligjit për zgjedhjet nacionale”, ka thënë Tahiri, raporton “EO”.
Ndërsa nënkryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi, ka thënë se do të marrin për bazë rekomandimet e OSBE-së në mënyrë që procesi të përmbyllet me sukses, por edhe gjetjet e misionit të BE-së.
“Komisioni ad-hoc i themeluar nga Kuvendi i Kosovës si rrjedhojë e deklaratave të nënshtruara nga përfaqësuesit e partive politike, ka një mandat dhe që buron nga kjo deklaratë dhe ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor duke marrë shkas nga rekomandimet e Misionit të Vëzhguesve të BE-së pa u kufizuar në këto rekomandime, por që gjithsesi në funksion të procesit të organizimit të zgjedhjeve”, ka thënë Rrustemi.
Në anën tjetër, shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë janë të gatshëm ta ndihmojnë komisionin për reformën zgjedhore.
“Kjo tregon përkushtimin e komisionit për të shtyrë këtë proces përpara në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë”.
“Besoj që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ofron një bazë të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike megjithatë diçka siç është diskutuar dhe siç është rekomanduar nga shumë palë ka nevojë por edhe një mundësi për të forcuar ketë kornizë ligjore dhe për të ofruar edhe më shume në standardet ndërkombëtare për zgjedhje”, është shprehur Davenport.
Kjo punëtori është mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë.