Reformat e ministrit Reçica përkrahen nga Banka Botërore
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka pritur të enjten në takim përfaqësues të Bankës Botërore, të kryesuar nga Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni në Regjionin e Evropës dhe Azisë, si dhe ekipin e tij.
Ministri Reçica i ka njoftuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për angazhimet aktuale të MPMS-së dhe rreth ecurisë së procesit sa i përket reformës së sistemit pensional në Republikën e Kosovës.
Ai ka thënë se është duke u planifikuar reformë rrënjësore ligjore dhe të shërbimeve të cilat ofrohen.
“Jemi shumë të përkushtuar, që deri në fund të vitit të kemi Koncept Dokumentin për Reformën Pensionale, i cili përpos që parasheh hartimin e ligjit të ri të pensioneve, do të përfshijë edhe reformën e shërbimeve”, ka deklaruar Reçica.
Gjithashtu, ministri ka treguar rreth përpjekjeve që po bën MPMS për respektim të të drejtave të punëtorëve, me ç’rast ka pohuar se MPMS-ja ka dërguar për miratim në Qeveri koncept dokumentin e Ligjit të ri të Punës i cili do të rregullojë një varg çështjes sa i përket të drejtave të punëtorëve.
Në kuadër të kësaj, ministri Reçica ka theksuar se rëndësi të veçantë do t’u kushtohet nënave lehonë ku të drejtat e tyre parashihen të trajtohen me një ligj të veçantë dhe për herë të parë parashihet të bëhet edhe pushimi prindëror.
Nga përfaqësuesit e Bankës Botërore ministri mori konfirmimin për vazhdim të mbështetjes së plotë për reformat dhe nismat e ndërmarra si dhe për koordinim të përbashkët në çështje për të cilat MPMS ka nevojë për ndihmë.
/Epoka e re/