Reformat në kadastër, takim mes AKK-së dhe ZKK-së
Agjencia Kadastrale e Kosovës në kuadër të reformave në fushën e kadastrës ka ndërmarrë disa iniciativa ligjore të cilat kanë rezultuar me ndryshimin e akteve nënligjore, respektivisht hyrjen në fuqi të gjashtë Udhëzimeve Administrative në fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës, nga të cilat përfitimet për qytetarët do të jenë të menjëhershme por do të ndikojnë edhe në kryerjen e punëve të përditshme nga Kompanitë e licencuara gjeodete, gjeodetët e licencuar dhe Zyrat Kadastrale Komunale.
Ndërsa me qëllim të prezantimin të Udhëzimeve Administrative si dhe trajtimit të çështjeve tjera të interesit të përbashkët, është mbajtur një takim mes ekzekutivit të AKK-së të prirë nga kryeshefi Avni Ahmeti i shoqëruar nga ekspertë kadastral dhe ligjor dhe Zyrave Kadastrale Komunale të përfaqësuara nga drejtorët e Zyrave Kadastrale shoqëruar nga zyrtarët ligjor dhe kadastral.
Në takim u prezantuan ndryshimet që rrjedhin nga këto Udhëzime Administrative, me theks të veçantë ato pjesë që afektojnë punën e zyrtarëve nëpër Zyrat Kadastrale Komunale si standardizimi i çmimeve për produkte dhe shërbime kadastrale dhe pronësoro-juridike, eliminimi i pengesave për ndarjen dhe bashkimin e parcelave në zonat urbane, ndalesa e punëve në terren për bashkim dhe për ndarje të parcelave për zyrtarët e Zyrave Kadastrale Komunale, krijimi i bazës ligjore për ofrimin e produkteve kadastrale online, thjeshtimi i procedurave për krijimin e bashkëpronësisë dhe krijimi i bazës ligjore për ndarjen e bashkëpronësisë në rastet kur qytetarët janë obliguar të hyjnë në bashkëpronësi. Përndryshe, diskutimet interaktive rezultuan me një pajtueshmëri në masë të madhe mes zyrtarëve të AKK-së dhe ZKK-ve në lidhje me reformat, ndërsa disa çështje teknike mbet të zgjidhen përmes bashkëpunimit teknik e profesional mes institucioneve respektive.
Konkretisht Udhëzimet e reja, të nënshkruara nga Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë Fatmir Matoshi janë Udhëzimi Administrativ për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve, Udhëzimi Administrativ për matjet kadastrale për regjistrim në kadastër, Udhëzimi Administrativ për ndarjen dhe regjistrimin e parcelës, Udhëzim Administrativ për ndarjen e zonave kadastrale, Udhëzimi Administrativ për tarifat e produkteve dhe shërbimeve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Udhëzimi Administrativ për ndarjen e ndërtesës dhe të pjesës së ndërtesës.