Reformimi i administratës së “pushtuar nga militantët” partiakë
Zbatimi i reformave në administratën publike të Kosovë, si një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian, duket se do të jetë një proces mjaft i vështirë. Analistë të fushës dhe ish-zyrtarë qeveritarë thonë se Kosova në këtë proces vështirësitë më të mëdha do t’i hasë në depolitizimin e administratës shtetërore.
Administrata në Kosovë, sipas analistëve, ndër vite ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë për punësimin e militantëve partiakë.
Nevoja e reformës në administratën publike në Kosovë është një ndër prioritetet kyçe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Zyrtarë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet për të çuar përpara agjendën e reformës evropiane dhe në veçanti reformën e administratës publike.
Artan Murati njohës i fushës së integrimeve evropiane thotë për Radion Evropa e Lirë se reforma në administratë publike është një nga proceset më të komplikuara, në të cilën kalon një shtet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Me reformën e administratës publike nënkupton strukturimi i ministrive, i departamenteve dhe drejtorive të caktuar se si do të funksionojnë, madje edhe tendencat për t’u digjitalizuar. Përveç kësaj, kërkohen edhe disa ndryshime bazike, si katalogu i pozitave të punës që afrohen në shërbimin civil të vendit dhe nivelizimi i pagave dhe mbi të gjitha tentohet që në administratë publike të mos krijohen hapësira për manipulim partiak, ashtu siç është bërë në Kosovë”, thotë Murati.
Ai shton se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë shumë më shumë për të finalizuar reformën e administratës publike, e cila siç thotë Murati, është administratë e nivelit të ulët profesional dhe që shërben për akomodimin e militantëve partiakë.
“Ka disa zhvillime të cilat janë ndërmarrë viteve të fundit. Tani pritet edhe një pako e ligjeve, mirëpo ne jemi shumë mbrapa në këtë aspekt dhe nuk po duket se ka vullnet politik për të bërë lëvizje më të shpejta, për arsye se administrata publike në Kosovë më shumë shërben për partitë politike për të akomoduar nëpër poste apo pozita militantët partiakë”, thotë Murati.
Edhe ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e konsideron reformimin e administratës publike në Kosovë si një proces shumë të vështirë.
Sipas tij, vështirësitë më të mëdha në këtë proces Kosovës do t’i paraqiten në depolitizimin e administratës.
“Reformimi i administratës është një detyrë e vështirë, një detyrë që duhet të bëhet duke filluar nga depolitizimi i administratës, profesionalizimi i administratës, ngarkesat e barabarta në vendin e punës. Pastaj, avancimet meritore vlerësimet objektive dhe zbatimi i të gjitha direktivave evropiane që lidhen me fushën e administratës. Këto janë detyra të vështira, por Kosova duhet ta bëjë hapin e parë dhe t’i qaset seriozisht, sidomos depolitizimit, ku duhet të fillojë qasja serioze dhe objektive në raport me administratën”, thotë Ferati.
Ai shton se janë disa reforma në administratën publike që kanë filluar të bëhen, por që në këtë proces Kosova mbetet ende larg kritereve që kërkon Bashkimi Evropian në administratën publike.
Në Kosovë është në diskutim publik pakoja ligjore, ku bëjnë pjesë projektligji për administratën shtetërore, projektligji për zyrtarët publikë dhe projektligji për pagat.
Këto tri projektligje janë shtyllat e procesit të reformimit dhe modernizmit të administratës publike, me qëllim ngritjen profesionale të administratës publike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit.
Megjithatë, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar nuk është prononcuar lidhur me këtë çështje.
Ndryshe, në hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë në vazhdimësi ishte theksuar se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në administratën publike në Kosovë.