Reformimi i IMF-ve do të sjellë edhe uljen e kamatave
Në disa vitet e fundit, institucionet mikrofinanciare, IMF, janë duke rritur vazhdimisht numrin e huamarrësve, duke e rritur prezencën në sektorin financiar të Kosovës. Por, vlerësohet se IMF-të do të mund të arrinin potencial më të madh në rast të reformimit të tyre, që nënkupton zgjerim të aktivitetit të tyre financiar.
“IMF-të do të mund të shërbenin edhe produkte të tjera si pagesa dhe transferta dhe kjo të ndikonte në uljen e kostove dhe kamatave”, tha Arsim Bruçaj nga Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës AMIK.
Sipas Bruçajt vonesa në reformimin e IMF-ve do të ndikojë në përforcimin e disa institucioneve jobankare që po operojnë me kamata që janë edhe mbi 100%.
Nga ana tjetër, partneriteti me sektorin privat do të mundësonte qasje më të lehte në kapital që do të mundësonte përfshirje më të madhe financiare të qytetarëve të pa shërbyer nga bankat.
Aktualisht, pjesa më e madhe e IMF-ve kanë statusin e organizatave joqeveritare dhe në përgjithësi, këto institucione janë banka zhvillimore dhe investitorë me përgjegjësi sociale. Ato mbështesin aktivitete dhe sektorë të caktuar të ekonomive në zhvillim. Reformimi eventual i tyre vlerësohet sedo të kishte ndikim në ekonominë e vendit dhe në punësim.
Eksperti Flamur Keqa ka thënë se gjatë reformës së Institucioneve Mikro Financiare, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila e rregullon tregun bankar, duhet të ketë kujdes.
“Duhet të kemi kujdes që të ruhet stabiliteti i sistemit bankar gjatë ofrimit të mundësisë për shërbime dhe produkte të reja për ta. Po ashtu rregullatori duhet të ketë kujdes që me këto produkte të reja mos të humbet balanci”, tha Keqa.
Aktualisht, IMF-të në Kosovë punësojnë mbi 950 persona, por me reformimin e tyre, besohet se do të rritej numri i degëve të këtyre institucioneve, dhe rrjedhimisht edhe numri i të punësuarve. Po ashtu, reformimi nënkupton edhe uljen e normës së kamatave, duke ua lehtësuar barrën financiare edhe kredimarrësve.
Aktualisht, bazuar në të dhënat që ofron Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës, janë rreth 78 mijë huamarrës aktiv, të cilët kryejnë shërbime në rreth 115 degë të këtyre institucioneve, të shtrira në gjithë vendin.
Në qershor të vitit 2018, ky Asociacion njoftoi se mesatarja e kredive është rreth 2000 euro. Pikërisht kreditë me vlera më të ulëta janë përparësia e këtyre institucioneve, në kohën kur bankat komerciale në vend kanë vënë prag më të lartë të kredive dhe procedura më të ndërlikuara burokratike.
Nga 150 milionë euro sa ka arritur protfolio e kredive të IMF-ve, një pjesë e konsiderueshme e kësaj vlerë janë hua për krijimin apo zgjerimin e bizneseve të vogla. Ulja e normave të kredive pritet të shtojë numrin e ndërmarrësve të ri, të cilët u drejtohen këtyre institucioneve për të ndihmuar biznesin e tyre. Kosova vazhdon të përballet me numër të lartë të varfërisë dhe të papunësisë.
Pagat minimale në vend është 170 euro për personat mbi moshën 30 vjeçare, ndërsa 130 euro për persona nën moshën 30 vjeçare. Ky nivel i pagës minimale ka mbetur i pandryshuar tash e disa vite. Për këtë arsye, qytetarë të ndryshëm mirëpresin mundësinë që t’i drejtohen këtyre institucioneve për kredi më të vogla, të cilat kapin vlerën e më pak se 5 mijë euro, meqë disa banka kanë prag më të lartë të kredive, nga 5.000 deri në 10.000 euro.
Vlerësohet se kredimarrës të shpeshtë janë bujqit, të cilët përmes këtyre kredive arrijnë të shtojnë numrin e krerëve të bagëtive të tyre, apo ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për biznesin. Vetë Qeveria e Kosovës në disa raste ka thënë se synon zhvillimin ekonomik dhe uljen e shkallës së lartë të papunësisë përmes krijimit të kushteve sa më të favorshme për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.