Refugjatët po futen më shpejt në tregun gjerman të punës
Integrimi në tregun e punës i refugjatëve të ardhur në Gjermani në vitet e fundit po arrihet më shpejt sesa ishte menduar, sipas ekspertëve. Por, pagat e tyre janë relativisht të ulëta.
Sipas vlerësimeve të Institutit për Tregun e Punës dhe Studimin e Profesioneve (IAB) në Gjermani refugjatët po integrohen më shpejt në tregun e punës sesa mendohej më parë. “Unë mendoj se në vjeshtë afër 40 për qind e refugjatëve në moshën e punës do të arrijnë të futen në tregun e punës”, ka thënë së fundmi drejtuesi i sektorit të migrimit, integrimit dhe studimit të tregut të punës në IAB, Herbert Brucker, për rrjetin redaksional “Netzwerk Deutschland”. Ai ka theksuar se me këto ritme mund të jenë të kënaqur. “Po të kujtosh se kushtet fillestare të refugjatëve në vitin 2015 e më pas ishin shumë të vështira, sepse gjermanishtja si gjuhë është shumë më larg arabishtes, se gjuhët e refugjatëve që erdhën nga Ballkani në vitet ’90”, ka thënë ai.
Me zanat, por pa shkollë profesionale
Bruckeri ka thënë më tej se afërsisht 36 për qind e refugjatëve në moshën 15 deri në 64 vjeç janë të punësuar. “Këta janë rreth 380 000 – 400 000 veta. Shumë prej tyre janë të punësuar si punëtorë për një kohë të kufizuar, edhe pse me rroga relativisht të ulëta”, ka thënë ai. Por, përveç kësaj, thotë eksperti Herbert Brucker, ka një numër të madh refugjatësh që punojnë në gastronomi, në fushën e “Security”, të pastrimit, në ndërtim dhe në kujdesin shëndetësor ndaj të moshuarve.
Afër 50 për qind e refugjatëve në Gjermani kanë një punë të kualifikuar. “Kjo është një vlerë e lartë, po të mendosh, se vetëm çdo i pesti refugjat para ardhjes ka pasur një shkollë profesionale apo universitet”, është shprehur Brucker.
Ky ekspert shpjegon se në vendet me origjinë ata kanë kryer punë të kualifikuara, edhe pa diplomë profesionale. “Në vende si Siria nuk ka shkollë profesionale për mekanikët si tek ne. Zanati mësohet në punë”, thotë ai. Kurse mjekët apo studiuesit kategorizohen në statistikat e IAB si specialistë. “Në këtë sektor punojnë maksimalisht 6 për qind e refugjatëve”, ka deklaruar Bruckeri. (DW)