Refuzim i madh i vaksinave në Kosovë
54 mijë persona ishin paraparë që të imunizohen në fazën e parë të vaksinimit, përshirë këtu fillimisht 15 mijë mantelbardhë duke u pasuar me qytetarët e moshës mbi 80 vjeç dhe një pjesë e atyre që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Megjithatë, 24 mijë dozat e vaksinës AstraZeneca nuk arritën të shpenzohen as për gjysmën e personave të planifikuar për imunizim në fazën e parë.
Madje, për ta shpenzuar këtë kurë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga e premtja do të nisë vaksinimi edhe për qytetarët e moshës 77-79, grupmoshë kjo që është paraparë të imunizohet në fazën e dytë.
E sipas ekspertes për Politika Shëndetësore, Hana Xhemajli, kjo po ndodh për shkak që mantelbardhët refuzuan vaksinimin dhe si pasojë e kësaj plani për vaksinim u adaptua në kësi forme.
Të njëjtën e pohon edhe kreu i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, derisa ky i fundit druan se imunizimi i popullsisë prej 70 % brenda këtij viti është vështirë i arritshëm me këtë ritëm të vaksinimit.
Megjithëkëtë, të dy këta thonë se e gjitha kjo do të shmangej nëse me kohë do të punohej në avokim dhe fushata vetëdijësuese.