Refuzimi i darkës në Strasburg, Rama: Fjalimi im u ka rënë si rrufe në qiell të pastër!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se disa prej të ftuarve në darkën nuk kanë shkuar në darkën e organizuar në Strasburg nga misioni shqiptar, pas fjalimit të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës ku ka folur për raportin e Dick Martyt.
Ai ka thënë se ata kishin shkuar në darkë i kishin thënë se nuk ndiheshin mirë pas fjalimit në KE. Në këtë kontekst, Rama ka thënë se nuk ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!
Më tutje, ai ka thënë se është e neveritshme se djathta shqiptare, duke iu referuar Sali Berishës ka dalë kundër fjalimit të tij në KE.
“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve! Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri. Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra!#NjerëzPaAtdhe #KatranMeBojë”, ka shkruar Rama në “Twitter”.