Refuzimi i mësimdhënësve për ta marrë vaksinën, Nagavci: S’pretendojmë t’i shkelim të drejtat e tyre
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, të martën ka raportuar para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.
Nagavci ka thënë se deri më tani kanë punuar në lidhje me grumbullimin e të dhënave për vaksinimin e mësimdhënësve dhe organizimin e fillimit të procesit arsimor.
“Në lidhje me të dhënat e vaksinimit i kemi të sakta dhe të detajuara. 165 të punësuar janë të pa vaksinuar. Sa i përket mësimit në distancë dhe kjo nuk e kompenson mësimin me pjesëmarrje fizike dhe rekomandimet janë që shkollat janë të fundit që mbyllen dhe të parat që hapen. Janë 368 institucione arsimore që po zhvillojnë mësimit në bazë të opsionit ‘A’”,ka thënë Nagavci.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka pyetur ministren Nagavci se çfarë do të ndodhë nëse mësimdhënësit nuk duan të vaksinohen.
Në përgjigjen e saj, Nagavci ka thënë se asnjëherë nuk kanë tentuar që të shkelin të drejtat e mësimdhënësve.
“Nuk kemi moskoordinim në mes meje dhe personave tjerë të stafit tim dhe asnjëherë nuk kemi pretenduar që të shkelim të drejtat e secilit mësimdhënës”, është përgjigjur Nagavci.
Më tutje, Nagavci ka shtuar se kanë adresuar disa raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe se kurdo që do të merret vendimi do jepet një përgjigje para publikut.
“Kemi adresuar disa raste në hetuesi për raste të keqpërdorimeve të punës zyrtare”, ka thënë Nagavci.
Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se për të është shumë i rëndësishëm procesi mësimor, duke pyetur ministren Nagavci se sa është braktisja e shkollës nga fëmijët për këtë kohë, si dhe pajisja me tekste.
Ministrja Nagavci është përgjigjur se tekstet janë shpërndarë në secilën komunë dhe shkollë dhe që gjithçka është në rregull.