Refuzohen katër persona që u paraqitën si viktima të liderëve të UÇK-së
Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në kuadër të Gjykatës Speciale ka përpiluar raportin e pestë me aplikacionet e personave që pretendojnë se kanë pësuar dëme nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në rastin gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Në raportin të cilin e ka dërguar tek gjyqtari paraprak, janë 25 persona që pretendojnë të jenë viktima të UÇK-së, e të cilët pretendojnë të marrin pjesë në gjykim.
Në dokumentin e Gjykatës Speciale është bërë me dije se disa nga aplikantët pretendojnë se janë viktima direkte, teksa disa të tjerë indirekte, të cilët janë paraqitur në Speciale si rrjedhojë e dëmit që ata kanë thënë se kanë pësuar familjarët e tyre.
Dy nga aplikuesit kanë kërkuar që informacionet në lidhje me rastet e tyre të mos u transmetohen publikut.
Dy nga aplikuesit kanë kërkuar që këto informacione, përveç publikut të mos u transmetohen as të akuzuarve në këtë rast.
19 prej tyre kanë kërkuar që informacionet apo detajet mbi rastet e tyre të mos u transmetohen publikut, të akuzuarve mirëpo as avokatëve mbrojtës të të akuzuarve.
Ndërsa një aplikues nuk ka kërkuar masa mbrojtëse.
Nga këta 25 aplikues, Zyra në kuadër të Speciales ka rekomanduar që katërve prej tyre mos t’u pranohet statusi i viktimës.