Refuzohen mbi 3 mijë e 400 zarfe me fletëvotime nga diaspora
Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka njoftuar se është duke punuar intensivisht në përmbylljen e aktiviteteve të parapara sipas procedurave.
Sipas këtij njoftimi, në QNR është duke u kryer procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve, dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Është bërë me dije se QNR-ja ka arritur të procesojë në sistem 86.16 për qind të dhënat nga formularët e subjekteve politike, si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 70.49 për qind.
“Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve 85.43 për qind”, ka njoftuar QNR-ja.
Më tutje, QNR-ja ka njoftuar se janë refuzuar mbi 3 mijë e 400 zarfe me fletëvotime nga diaspora.
“Nga 11 653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8 212 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 3.435 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jovalide”, ka njoftuar QNR-ja.