Refuzohet ankesa e Thaçit për legjitimitetin e Speciales
Mbrojtësit e ish-drejtuesit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, kanë paraqitur ankesë kundër vendimit të gjyqtarit të Këshillave të Specializuara të Kosovës (KSK). Gjykatësi ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes së Thaçit për pezullim të procedurës dhe refuzim të aktakuzës, me të cilën ata e kanë kundërshtuar legjitimitetin dhe ligjshmërinë e asaj gjykate, themelimin e saj, formën e aktakuzës dhe të tjera. Ata me ankesë kanë kërkuar nga Dhoma e Apelit e KSK-së që të vërtetojë se Gjykatës Speciale i ka skaduar mandati si dhe se Thaçit i janë shkelur të drejtat “aq sa vazhdimi i gjykimit kundër tij do të cenonte thelbësisht kuptimin e kësaj procedure”.
Ndër të tjera, në ankesën e shkruar në 20 faqe, avokatët mbrojtës kanë deklaruar se Gjykata Speciale nuk i plotëson kushtet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse nuk është e pavarur dhe e paanshme. “Mbrojtja pretendon se Ligji për KGJK-në (i miratuar nga Kuvendi i Kosovës) krijoi atë që zbatohet në praktikë për një gjykatë të jashtëzakonshme dhe se KGjK nuk i plotëson garancitë e pavarësisë dhe paanësisë, pasi që ligji nuk parashikon rregulla adekuate për përbërjen dhe emërimin e anëtarëve të saj, kohëzgjatjen e shërbimit, arsyet e shkarkimit, refuzimit dhe shkarkimit të anëtarëve të saj”, është thënë në parashtresën e mbrojtjes së Thaçit.
Arsyeja e dytë e ankesës ka të bëjë me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, për të cilën ata pretendojnë se nuk ekziston sepse Thaçi dyshohet se ka qenë nën dyshime që nga 7 janari 2011 kur është publikuar raporti i raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Marty.