Refuzohet prapë paketa rekord e Muskut prej 56 miliardë dollarësh

03 dhjetor 2024 | 08:35

Një gjykatës ka refuzuar sërish një paketë pagese për CEO-n e Tesla, Elon Musk, e cila përfshinte mundësinë që ai të fitonte deri në 56 miliardë dollarë në aksione të Tesla-s, bazuar në arritjen e objektivave të rritjes së kompanisë. Kjo paketë, e rënë dakord në vitin 2018, parashikonte që Musk të merrte aksione të Tesla-s në sasi të mëdha nëse kompania arrinte qëllime specifike si rritja e vlerës së aksioneve dhe prodhimi, pa një pagë fikse vjetore, shkruan BBC.

Megjithëse aksionerët dhe drejtorët e Tesla miratuan këtë paketë pagash, gjyqtarja Kathleen McCormick zbuloi se anëtarët e bordit ishin shumë të ndikuar nga Musk, duke e bërë procesin e pagave të njëanshëm.

Në muajin janar, gjykatësja tashmë ka dhënë një vendim të ngjashëm dhe tani ajo e refuzoi sërish këtë paketë, duke e konsideruar të padrejtë, edhe pse 75 për qind e aksionarëve votuan për zbatimin e saj. Musk iu përgjigj vendimit, duke thënë se aksionarët, jo gjyqtarët, duhet të vendosin për çështje të tilla.

“Tesla” njoftoi një apel kundër këtij vendimi, duke theksuar se ai mund të krijonte një “precedent të rrezikshëm”, sipas të cilit gjyqtarët mund të kontrollonin kompanitë në vend të vetë aksionerëve.

Në vendimin e saj, gjyqtarja ka theksuar se “Tesla” nuk ka dëshmuar se pakoja e pagave ishte e drejtë dhe se argumentet e kompanisë nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar shumën e kompensimit.

Në fund, gjykatësi vendosi që aksionari që ngriti padinë duhet të merrte 345 milionë dollarë tarifa ligjore, por jo 5.6 miliardë dollarë në aksionet e Tesla-s që ai kërkonte. Sipas BBC, “Tesla” mund të përpiqet të rinegociojë një paketë të ngjashme pagash në Teksas, ku zhvendosi aktivitetet e saj të biznesit në fillim të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria franceze rrezikon të shembet pasi partitë e ekstremit të…