Refuzoi t’i shërbente klientes pa maskë, kamerieri shpërblehet me 50 mijë dollarë

29 qershor 2020 | 15:33

Një kamerier në San Diego ka fituar mbështetje të madhe në rrjetet sociale, pasi ai refuzoi t’i shërbente një gruaje e cila nuk mbante veshur maskë, e cila e zemëruar u përpoq ta turpëronte atë online, por s’ia doli.

Siç shkruajnë mediat amerikane, një grua në San Diego nuk u shërbye nga kamerieri në një lokal të Starbuks vetëm pse ajo nuk kishte vendosur maskën si mbrojtje ndaj Covid-19.

Gruaja e irrituar bëri një foto dhe më pas shkroi në ‘Facebook’: “Takohuni me Lenin Gutierrez nga Starbucks, i cili nuk pranoi të më shërbente mua sepse nuk kisha vendosur maskën. Herën tjetër do të pres policët dhe do të sjell një ekip mjekësor”.

E nëse gruaja e quajtur Amber Lynn Gilles priste që atë ta mbështesnin dhe të sulmonin kamerierin, ndodhi e kundërta.

Shumë njerëz i shpjeguan se kamerieri i Starbucks vetëm po ndiqte protokollin, e madje nisën dhe një fushatë “Go fund me” për të.

Fushata për mbledhjen e parave nisi nga Matt Cowan, i cili nuk njihte as gruan dhe as kamerierin. E deri tani janë mbledhur mbi 50,000 dollarë për Gutierrez.

Djali i ri shpjegoi incidentin, duke thënë se kishte dashur t’i tregonte gruas rregullat për vendosjen e maskave, por ajo nuk kishte pranuar.

Në një video në Facebook, Gutierrez tha se ai ishte duke punuar në Starbucks por ëndrra e tij ishte të punojë si një balerin dhe instruktor kërcimi. Para karantinës, ai u mësonte fëmijëve si të kërcenin dhe tha se paratë që i kanë dhuruar, do i përdorë për t’iu rikthyer mësimit të fëmijëve përsëri.

“Gjithçka që dua të bëj vërtet është të jem në gjendje t’u mësoj të tjerëve të kërcejnë dhe t’u tregoj se sa e dua dhe sa ka ndikuar kërcimi tek unë. Nëse mund t’ia tregoj dikujt dhe të ndryshoj jetët e tyre, siç kërcimi ndryshoi jetën time.”–është shprehur Gutierrez i cili i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka marrë vendim për…