Regjimi taliban e kthen sistemin e “ndëshkimit hakmarrës” në Afganistan
Pas ekzekutimit të tre vrasësve të dënuar së fundmi në incidente të ndara, regjimi taliban e ka dërguar një mesazh shumë të qartë publik: se e ka kthyer në Afganistan qëndrimin famëkeq të drejtësisë hakmarrëse, apo ndëshkuese, të njohur si “kisas”.
Kisas, apo dënimet ndëshkuese islamike, ku mund të përfshihen edhe vrasjet prej duarve të familjeve të viktimave, kanë qenë tipar dallues i talibanëve kur ata ishin në pushtet në Afganistan për herë të parë nga viti 1996 deri më 2001.
Grupi militant islamist është zotuar se do ta kthejë këtë praktikë tani, pas plot 20 vjetëve, në përpjekje për të vendosur rregulla më të rrepta të interpretimit të ligjit islamik nga ana e tij.
Vrasja me armë në publik e tre burrave në dy javët e fundit tregon se regjimi taliban bëri premtime, jo kërcënime.
Ata u ekzekutuan nga trashëgimtarët e viktimave të tyre para një turme shikuesish, një shfaqje famëkeqe që i ngjante ekzekutimeve nga regjimi i kaluar taliban nëpër stadiume.
Më 22 shkurt, Syed Jamaluddin dhe Gul Khan, u vranë me armë zjarri brenda një stadiumi futbolli në provincën juglindore, Ghazni.
“Njëri u qëlluan tetë herë, derisa tjetri i mori gjashtë plumba”, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë (REL) një dëshmitar i rastit, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Disa ditë më vonë, më 26 shkurt, një burrë i paidentifikuar e qëlloi për vdekje Nazar Mohammadin brenda një stadiumi të sportit në provincën veriore, Jawzjan. Qitësi po hakmerrej për vdekjen e vëllait të vet, Khal Mohammad, para dy vjetëve.
Format e tilla të drejtësisë, të cilat përfshijnë ndëshkimet kisas dhe hudud siç janë, amputimet për krime më të vogla, bëhen ndaj kryerësve të krimeve dhe shkeljeve që konsiderohen si tejkalim i kufijve të Zotit.
Ekzekutimet e fundit nuk janë të parat prej se regjimi taliban u kthye në pushtet.
Në dhjetor 2022, pak muaj pasi lideri i talibanëve, mulla Haibatullah Akhundzada, urdhëroi kthimin e ndëshkimeve islamike, një vrarës i dënuar u qëllua për vdekje nga babai i viktimës së tij, para qindra njerëzve në provincën perëndimore, Farah.
Qershorin e kaluar, një burrë i dënuar për vrasjen e pesë njerëzve u ekzekutua në lindje të provincës Laghman, sipas regjimit taliban, i cili nuk tregoi se si u krye ekzekutimi i tij.
Prej se Akhundzada e dha urdhrin, talibanët i kanë goditur me kamxhik, me gurë apo i kanë amputuar pjesët e trupit të qindra njerëzve për krime siç janë, vjedhja dhe tradhtia bashkëshortore.
Ekzekutimet dhe ndëshkimet janë kundërshtuar dhe dënuar nga afganët dhe shtetet e jashtme. Ekspertët e kanë vënë në dyshim vlefshmërinë e tyre sipas ligjit islamik dhe thonë se talibanët po i përdorin ato kryesisht për të përhapur frikë.
Ligji islamik i Sheriatit mund të zbatohet vetëm si pjesë e një kornize qeverisëse gjithëpërfshirëse nga një Qeveri e ligjshme që është përgjegjëse para popullit, sipas dijetarëve islamikë afganë.
“Gjykatësit të cilët marrin aktvendime për ndëshkime të tilla duhet patjetër të jenë të famshëm për drejtësinë e tyre dhe të kenë njohuri të thella”, tha profesori Fazluminullah Mumtaz, i cili është ekspert i jurisprudencës islamike.
Ai shtoi se gjykatësit “janë të detyruar të kenë njohuri të plotë të aspekteve të jurisprudencës dhe të sheriatit në lidhje me dënimet dhe zbatimin e tyre”.