Regjistri zyrtar i barnave ndihmon në ngritjen e standardeve në fushën e farmacisë
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka marrë pjesë të hënën në promovimin e regjistrit zyrtar të barnave në Republikën e Kosovës, edicioni i 6-të, i cili është plotësuar me barnat e reja të regjistruara deri në tetor 2021 dhe përmban 3 540 produkte të mbrojtura dhe 889 produkte gjenerike.
“Regjistri i barnave, përveçse do ta ndihmojë komunitetin mjekësor në përgjithësi në Kosovë për t’i zbatuar praktikat më të mira të administrimit të barnave të regjistruara në Kosovë, është edhe një shembull i mirë i bashkëveprimit midis Odës së Farmacistëve, Agjencisë së Kosovës për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, Shoqatës së Farmacistëve dhe Profesionistëve nga Fakulteti i Mjekësisë për t’i përditësuar të rejat sa iu përket barnave të regjistruara në Republikën e Kosovës”, ka thënë zëvendësministri Berisha.
Ai ka theksuar se promovimi i Regjistrit 6 të barnave do të ndihmojë në ngritjen e standardeve në fushën e farmacisë, ndërsa mjekët familjarë dhe specialistët e fushave të ndryshme do të kenë para vetes një pasqyrë të qartë të barnave të regjistruara dhe kjo do ta mundësojë përshkrimin racional të tyre.
Kurse kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka thënë se AKPPM-ja dhe OFK-ja do të shpërndajnë falas këtë regjistër për të gjithë farmacistët përgjegjës të barnatoreve që t’u shërbejë atyre në praktikën e përditshme në barnatore, në mënyrë që të kenë informata të sakta lidhur me barnat e regjistruara në Republikën e Kosovës.
Regjistri do t’u shpërndahet falas edhe mjekëve familjarë dhe specialistë, rreth 1 000 ekzemplarë, duke i njoftuar saktë se cilat barna janë të regjistruara në Kosovë.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të AKPPM-së, Arian Ahmeti, ka theksuar se MSh-ja, AKPPM-ja, OFK-ja, Shoqata e Farmacistëve dhe Fakulteti i Mjekësisë do të punojnë për digjitalizimin e këtij regjistri.
Krahas regjistrit të barnave 6 u promovua edhe revista farmaceutike nr. 2 që nxirret nga OFK-ja, me temën kryesore për këtë numër “Siguria e produkteve medicinale”.