Regjistrimet në UP, interesim i lartë për Mjekësinë dhe Shkencat Kompjuterike
Për vitin e ri akademik 2024/2025, në Universitetin e Prishtinës kanë konkurruar mbi 6 mijë kandidatë, ndërsa në afatin e parë do të pranohen 5 mijë e 285 studentë të rregullt.
Provimet pranuese janë mbajtur më 18 dhe 19 korrik, ndërsa rezultatet preliminare kanë filluar nga sot. Të rinjtë që kanë konkurruar janë orientuar më shumë në programet Mjekësi e Përgjithshme dhe Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike.
Ka përfunduar procesi i konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 2024/2025. Shpallja e rezultateve preliminare është bërë sot për grupin e parë të fakulteteve, ndërsa për grupin e dytë rezultatet do të shpallen më 22 korrik. Rektorati i UP-së, në një përgjigje për Radio Kosovën përmes adresës elektronike, ka bërë të ditur se programet më të kërkuara ishin: programi Mjekësi e Përgjithshme, Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, Juridik, programi Infermieri, Arkitekturë, e të tjerë.