Regjistrimi i kosovarëve si shtetas të Serbisë në Gjermani, Ajeti: Pranuam konfirmimin zyrtar për zgjidhjen e këtij problemi
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se shumë shpejt do të zgjidhet problemi ku qytetarët e Kosovës janë regjistruar si shtetas të Serbisë.
Ajeti ka thënë se për këtë gjë është takuar me sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, Brend Krösser, ku i është konfirmuar zgjidhja e këtij problemi.
“Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe angazhimit tonë diplomatik, ju njoftojmë se shumë shpejt do të përfundojë evidentimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistruar me automatizëm edhe si shtetas të Serbisë në komuna të ndryshme gjermane. Ky problem i trashëguar prej më shumë se 16 viteve ka prekur dhjetëra mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjermani, duke iu shkaktuar probleme në forma të ndryshme. Nga takimi ynë i radhës me Bernd Krösser, sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, pranuam konfirmimin zyrtar për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm. Shumë shpejtë do t’ju informojmë mbi përmirësimin praktik të këtij procesi”, ka shkruar Ajeti në “Facebook”.