Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Kemi kaluar shifrën prej 1.5 milion
Dje në Kosovë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, edhe në komunat të cilat kishin kërkuar shtyrjen e afatit për një javë në mënyrë që të përmbyllin suksesshëm këtë proces.
Për procesin e regjistrimit ka folur drejtuesi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, i cili ka deklaruar numri i popullsisë ka kaluar shifrën 1.5 milion.
Ai bëri të ditur se regjistrimi edhe në këtë javë nuk ka qenë i ndarë në komuna por është bërë në të gjithë territorin e Kosovës.
Derisa, sa i përket pjesëmarrjes në regjistrim ai vlerëson se ishte e suksesshme.
“Në bazë të dhënave vlerësohet se përveç pjesës veriore që ka hezituar, pjesët e tjera vlerësohet të jetë një ndër regjistrimet më të suksesshme sa i përket gjithëpërfshirjes, Besojmë që do të jemi 99.8% në pjesëmarrje”, tha ai.
“Një person që nuk është në regjistra do të ketë sfida, ministritë e tjera do të kërkojnë informacion nëse ai ose ajo ka qenë pjesë e popullsisë rezidente”, ka deklaruar Kastrati në Klan Kosova.