Regjistrohen disa raste me fruth në Kosovë, IKShPK-ja thirrje që të vaksinohen fëmijët

04 mars 2025 | 13:03

Instituti Kombëtar i Shëndetësi Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, shytave dhe rubellës.

IKShPK-ja ka njoftuar se gjatë këtij viti janë regjistruar disa raste sporadike me fruth në vendin tonë.

“Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, është shumë e rëndësishme që të siguroheni që fëmijët e juaj të jenë të vaksinuar me vaksinat MMR (fruthi, shytat dhe rubella). Gjatë këtij viti (periudha janar-mars 2025) janë regjistruar disa raste sporadike me fruth në vendin tonë, ndërkohë që vaksina mbetet mënyra më e sigurt për parandalimin e rasteve të reja”, është thënë në njoftimin e këtij instituti.

IKShPK-ja ka dhënë edhe informacione për vaksinën MMR që merret në këto raste.

“Vaksina MMR jepet për të parandaluar fruthin, shytat dhe rubellën. Ajo është e sigurt dhe e efektshme dhe është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur fëmijët nga këto sëmundje. Kur duhet të vaksinohen fëmijët? Vaksina MMR, sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12-15 muaj dhe doza e dytë në moshën 5-6 vjeç”, ka njoftuar IKShPK-ja.

IKShPK-ja ka theksuar se fëmijët të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë arritur që ta marrin vaksinën sipas Kalendarit të rregullt, mund të vaksinohen në çdo kohë, duke qenë se vaksina mund të jepet edhe pas moshës 6 vjeçe.

“Është e rëndësishme që fëmija ta kompletojë serinë e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës MMR, për ta siguruar mbrojtjen e plotë”, ka njoftuar ky institut.

IKShPK-ja ka thënë se për shkak të rasteve të fundit të fruthit në vend dhe në shtetet fqinje, është thelbësore që çdo fëmijë të jetë i vaksinuar, për të parandaluar shpërthime të mundshme dhe për të siguruar shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tjerë.

“Vizitoni Qendrën e Mjekësisë familjare më të afërt, aty mund ta vaksinoni fëmijën. Të gjithë fëmijët që janë të vaksinuar me vaksinat MMR janë të mbrojtur nga këto sëmundje ngjitëse, dhe ndihmojnë kështu në parandalimin e përhapjes së tyre”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët opozitarë në Kuvendin e Serbisë të martën kanë hedhur…