Regjistrohen mbi 230 mijë votues nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

05 mars 2025 | 14:15

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) njoftoi të mërkurën se 232.000 votues jashtë vendit janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.

Kjo është hera e parë që diaspora shqiptare mund të votojë në zgjedhje parlamentare në Shqipëri.

Mesnata e së martës ishte afati i fundit i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e votuesve nga jashtë.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, edhe 20.000 kërkesa janë duke u shqyrtuar për të parë nëse dokumentacioni është i rregullt. Komisioni ka pesë ditë kohë për shqyrtimin e tyre dhe për ta shpallur numrin përfundimtar të votuesve nga jashtë.

KQZ-ja i pranoi në përgjithësi 294.025 kërkesa, por rreth 42.000 prej tyre janë hedhur poshtë, për shkak të parregullsive në dokumentet e paraqitura.

Numri më i lartë i votuesve nga jashtë u regjistrua në Itali, rreth 148.000, pastaj në Greqi rreth 103.000, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Francë, Belgjikë etj.

Nga Kosova janë regjistruar 215 votues. Nga rreth 30 shtete, përfshirë këtu edhe territorin palestinez, ka pasur vetëm nga një kërkesë.

Sipas një raporti të Institutit të Statistikave në vitin 2020, numri i asaj që njihet si “diaspora e re”, apo imigrantët e larguar gjatë viteve ‘90 nga Shqipëria, ka arritur në rreth 1.68 milionë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në opozitë kërkuan të shtyhej afati për regjistrimin e votuesve nga jashtë, ndërsa Partia Socialiste në pushtet kërkoi shtyrje afati vetëm për ata votues, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

Megjithatë KQZ-ja vendosi të mos ketë shtyrje të afatit, pasi do të ndërlikonte procesin e shpalljes së listës dhe rishikimit të saj nëse do të jetë e nevojshme. Ajo pritet ta publikojë listën e votuesve nga jashtë më 9 mars. Regjistrimi për diasporën nisi më 11 janar.

Si do të votojë diaspora shqiptare?

Fletëvotimet do t’iu dërgohen votuesve nga jashtë përmes operatorëve ndërkombëtarë të postave që kanë degë në Shqipëri, dhe më pas votat e tyre do të sillen në Shqipëri. Shpenzimet për këtë proces përballohen nga buxheti i shtetit.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se vota nga jashtë do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

“Matematikisht janë 23-25 mandate që mund të ndikohen prej votave nga jashtë”, tha Celibashi.

Për zgjedhjet e 11 majit janë regjistruar 51 subjekte politike, ndërsa kanë paraqitur kërkesë për regjistrim tri koalicione parazgjedhore.

Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” udhëhiqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës dhe ka në përbërjen e saj Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 aleatë të tjerë.

Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, ku bëjnë pjesë dy parti të drejtuara nga ish-përfaqësues të Partisë Demokratike. Koalicioni tjetër është “Nisma Shqipëria Bëhet”, që ka në përbërje parti të reja që vijnë nga shoqëria civile.

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon mandatin e katërt, ndërsa demokratët kërkojnë ndryshim politik dhe rikthimin në pushtet pas 12 vjetësh në opozitë. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LeBron James është bërë lojtari i parë në historinë e…