Reja: Duhet të fitojmë ndaj Hungarisë

04 tetor 2021 | 17:17

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja të hënë në konferencë për shtyp për të analizuar listën e futbollistëve të thirrur për grumbullimin e muajit tetor dhe për të folur për dy ndeshjet vendimtare për kualifikimin në “play-off”, sfidën ndaj Hungarisë në transfertë dhe ndeshjen ndaj Polonisë në “Air Albania”.

Reja u shfaq optimist mbi mundësitë e kuqezinjve në këto dy përballje duke theksuar se ideale për Shqipërinë do të ishin 4 pikë dhe sidomos fitorja ndaj Polonisë në kryeqytet.

“Janë dy lojtarë të rëndësishëm. Kanë cilësi dhe dinamizëm. Kanë goxha peshë në lojën e skuadrës tonë. Kemi një grup të madh lojtarësh, kemi zgjidhje të tjera. Duhet të modifikojmë përpara dy ndeshjeve të rëndësishme. Kondicioni i duhur fizik, është pjesa më e rëndësishme përpara këtyre 2 sfidave. Flasim për Kombëtaren, lojtarët që do të zbresin në fushë, duhet të japim maksimumin, nuk dua të flas për ata që mungojnë, dua të flas për lojtarët që kam, shpresoj që të bëjmë 2 ndeshje të mira”, ka thënë Reja. “Nuk dua të bëj konsiderata të tilla, janë 2 ndeshje shumë të forta, për mua është e rëndësishme që Shqipëria po rritet, jemi skuadër kompetitive, një humbje na largon nga ëndrra që kemi, për në ‘play-off’, është e detyrueshme që të marrim 2 rezultate pozitive në 2 ndeshjet e ardhshme. Janë 2 ndeshjet vendimtare, për të shpresuar deri në fund që të jemi në lojë”, ka deklaruar Reja.

Trajneri italian foli edhe për 11 mbrojtës të thirrur për këto ndeshje: “Unë gjithmonë duhet të bëj zgjedhjet e mija, kam marr 2 lojtar për çdo rol të fushës. Kam 3 lojtar në qendër. Kam marrë 6 në këtë rast, ka ardhur Dermaku që është rikuperuar, ashtu si edhe Veseli që ka pasur problem fizike, jam kurioz të shikoj gjendjen dhe të bëj vlerësimet. Nuk kam marrë shumë mbrojtës, janë edhe Lenjani, Trashi, Balliu, Hysaj. Balliu po bën shumë mirë në La Liga, e kam ndjekur, dhe mund të na vlejë shumë në të ardhmen”. Duke folur për sulmuesit, Reja ka thënë se do të vendos vetëm pak para ndeshjes se kush do të jetë titullar në sulmin kuqezi. “Do të bëj zgjedhjet e mia kur të shoh gjendjen e lojtarëve. Manaj sfidën e fundit ka bërë një paraqitje 90 minuta dhe sapo është transferuar tek Spezia, ka luajtur dhe më duhet të shoh sesi është këtë javë. Broja dhe Cikalleshi kanë luajtur, kam marrë sa më shumë dhe dua të shoh sa më shumë. Deri të shtunën duhet të shoh dhe të vendos se si është gjendja deri përpara ndeshjes”, ka shtuar ai. Dy kundërshtarët e Shqipërisë janë Hungaria dhe Polonia dhe trajneri italian ka thënë se kuqezinjtë duhet me doemos të fitojnë.

“Me Poloninë me doemos duhet të fitojmë sepse është rivali ynë në grup, nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Dua t’i marrim ndeshjet një pas një. Tani kemi Hungarinë një sfidë deçizive dhe më pas me Poloninë. Në rastin më të keq dua që të marrim me çdo kusht tre pikë me Poloninë që të ruajmë pozicionin dhe për të shpresuar deri në fund. Por për mua idealja është 4 pikë në këto dy ndeshje”, ka pohuar Reja.

Trajneri Reja është i mendimit se çështja e kualifikimit është në dorën e  Shqipërisë. “Është e kot të flasësh për Anglinë, është skuadra më e mirë, thuajse e ka të sigurt kualifikimin. Duhet të kemi kujdes Poloninë, që është rivali jonë kryesor. Shanset varen nga ne, e kemi ne në dorë, Nëse mundim Poloninë jemi në rrugë të mbarë. Të tri skuadrat i kemi shanset e njëjta për në ‘play-off’. Jemi në kondicionin e duhur, për të arritur objektivin. Është shumë e rëndësishme që të jemi në lojë para se të shkojmë te ndeshja me Anglia”, ka deklaruar Reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
05.10.2021 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…