Reja: Lazio i ofron Kumbullës garanci për të luajtur

29 qershor 2020 | 10:23

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja, ka dhënë një intervistë për gazetën sportive italiane, “Corriere Dello Sport”, ku ka folur për mbrojtësin kuqezi të Veronës, Marash Kumbulla, i cili mbetet një nga emrat më të lakuar në tregun e transferimeve në Itali.

“Marashi është një mbrojtës shumë inteligjent, shumë i shpejtë në ndërhyrje dhe i fortë në luftën në ajër. Mbi të gjitha, është një djalë me kokën mbi shpatulla, ndaj ka një marzhë shumë të lartë përmirësimi. I ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një nga mbrojtësit më të mirë dhe për të luajtur në nivele të larta”, ka thënë Reja.

Orët e fundit është folur shumë për një marrëveshje për transferimin e Kumbullës te Lazio, pasi bardhekaltrit kanë arritur një marrëveshje me Veronën, duke “djegur” konkurrencën me Interin, që dukej e avantazhuar për t’i marrë shërbimet e tij. “Nuk besoj se Kumbulla ka favorizuar një klub apo një tjetër për transferimin. Besoj se vendimi është marrë, apo do të merret duke marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë që nuk lidhen me ofertën ekonomike, por atë profesionale. Kumbulla është një djalosh që dëshiron të luajë vazhdimisht dhe në këtë drejtim Lazio i ofron garanci më të mëdha se të tjerat”, ka shtuar Reja.

Mbrojtësi 20-vjeçar ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë, ndonëse ka edhe pasaportë italiane, ndërsa vetë Reja ka deklaruar se Kumbulla mund të ishte një alternativë mjaft e vlefshme për përfaqësuesen e Roberto Mançinit.

“Mendoj se mund të kishte interes edhe nga Italia, duke parë edhe faktin që ka pasaportë të vendit tonë. Me cilësitë që ka, është nga të rinjtë më premtues, pasi duhet të pranojmë se, përveç Bastonit, nuk shoh asnjë italian të ri dhe të zonë në mbrojtje, në kampionatin tonë”, ka deklaruar Reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve…