Reja: Shkojmë në Angli për të marrë maksimumin
Më 12 nëntor Shqipëria do përballet në Uembli kundër Anglisë, që është edhe kundërshtari më i fortë në grupin kualifikues të Botërorit. Pavarësisht këtij fakti, por edhe tabelës së renditjes që është penalizuese italiani thotë se beson ende te ëndrra e Botërorit.
“Do të shkojmë në Angli për të marrë maksimumin dhe rezultat sepse e kemi këtë synim që të bëjmë ndeshje sa më të mira. Humbja në shtëpi ndaj Polonisë e kompromentoi pjesën e ‘Play-Off’-it por matematika na e lejon, pavarësisht se luajmë ndaj Anglisë do të shkojmë të luajmë dhe të paraqitemi sa më mirë”,- deklaroi Reja.
Ndër të tjera Reja shpjegoi se Manajn e ka lënë jashtë grumbullimit për shkak të formës jo të mirë dhe se Balliu është i dëmtuar, ndërsa tha se kombëtarja në këtë fushatë eliminatore është rritur shumë. Pas Anglisë në program është Andora, por në çdo rast sipas italianit do të përzgjedhë lojtarët më të mirë për të zbritur në fushë.
“Ne kemi besim tek të rinjtë dhe për këtë arsye kam afruar shumë në ekipin e parë, por nuk do bëj eskperimente në dy ndeshjet e fundit. E di që objektivi ynë është kualifikimi në Europianin e 2024, por do ishte një arritje e madhe nëse e mbyllim grupin me 18 pikë”, u shpreh ai.