Reja: Shqipëria ka respekt për secilin, frikë nga askush
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sonte (e martë) do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Moldavisë në Elbasan.
Trajneri i kuqezinjve, Edy Reja, ka thënë se nuk duhet të nënvlerësohet asnjë kundërshtar dhe fusha është për ta treguar superioritetin ndaj rivalëve.
“Të gjithë rivalët janë të frikshëm. Nuk ka rivalë të lehtë. Nuk mund të luajmë me idenë që jemi superiorë. Duhet të tregojmë në fushë a jemi superiorë. Në Islandë pashë një Shqipëri me personalitet, që e sulmoi kundërshtarin. Pres të njëjtën paraqitje edhe ndaj Moldavisë, me respekt dhe pa frikë për askënd. Në futboll gjithçka mund të ndodhë por, nëse luajmë mirë, mund t’i kthejmë episodet në favorin tonë”, ka thënë Reja, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që në këtë ndeshje të bëhen katër zëvendësime.
“Është ende herët për të vendosur. Do ta shoh formën fizike, dikush mund të pushojë, sepse i kemi rolet të dubluara dhe vetëm ata që janë në 100 % do të luajnë. E kam një ide por, të shohim, duhen edhe 24 orë deri në momentin e ndeshjes. Mund të bëj ndryshime, 3-4 e shumta, në mesfushë dhe në sulm mund të pushojnë disa lojtarë, sepse lojtarët u lodhën shumë duke sulmuar e mbrojtur”, ka shtuar ai.
Trajneri Reja e ka komentuar edhe një herë humbjen nga Islanda. Ai ka vlerësuar se kundërshtari të shtunën fitoi më fat, kurse Shqipëria, sipas trajnerit italian, është në rrugën e duhur. “Në realitet Islanda luajti vetëm me topa të gjatë në zonë dhe pati fat me atë gol që shënoi, ndërsa ne nuk konkretizuam, por do të rritemi. Nuk mund të pretendojmë rezultate të mëdha menjëherë, duhet pak durim, por rruga është e duhura. Skuadra është kompakte dhe ka një fizionomi, tani kemi një skuadër të vërtetë. Jo gjithçka mund të jetë e përkryer, por jemi në rrugën e duhur”, ka deklaruar Reja. “Kemi ende shumë ndeshje. Nëse i fitojmë të gjitha, është e qartë që mund ta themi fjalën tonë. Në çdo ndeshje do të shkojmë për fitore. Këtë dua nga skuadra. Nëse e bëjmë këtë, do të ishte arritje e madhe, pastaj rezultatet në fushë varen edhe nga episodet. Le të japim më të mirën tonë në çdo ndeshje, llogaritë bëhen më tutje”, ka shtuar Reja.
Hysaj: Shiriti? Një ëndërr që po realizohet
Mbrojtësi Elseid Hysaj ka folur para ndeshjes me Moldavinë. Mbrojtësi i Napolit është pyetur për kualifikimin e Shqipërisë në Evropian, kurse përgjigjja e tij ka qenë mjaft e matur. “Duhet të vazhdojmë të punojmë për rritjen e Kombëtares. Do ta fillojmë nga zero, për të bërë një grup, duhet të krijojmë identitet dhe të kemi kohën për më mirë”, ka thënë ai.
Hysaj është shumë i lumtur që do të jetë kapiten i kombëtares kuqezi. “Është zgjedhje e trajnerit, jam i kënaqur për këtë gjë. Çdokush ka dëshirë të jetë kapiten i ekipit kombëtar. Për mua është një ëndërr që po realizohet”, ka shtuar Hysaj.