Reka i kërkon Barishiqit mbështetjen e Kroacisë për liberalizim
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka pritur të premten në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, pasi që Kroacia kryeson me BE-në.
Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, takimi u mbajt në frymën e bashkëpunimit dhe të koordinimit për prioritetet kyçe dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Ambasadorja Barishiq e ka njoftuar ministrin Reka për prioritetet e zgjerimit dhe përgatitjet e Kroacisë si udhëheqëse e Samitit të Zagrebit që organizohet në maj.
Me këtë rast ministri Reka, ka potencuar rëndësinë e koordinimit të përbashkët dhe ka kërkuar mbështetje nga Kroacia si vend mik i Kosovës, për dinamizëm të Agjendës Evropiane, respektivisht për finalizim të liberalizimit të vizave për Kosovën, si prioritet afatshkurtër, ndërsa në aspektin afatgjatë, avancimin e administratës së Kosovës për aplikim për statusin kandidat në BE.
Më tutje, gjatë takimit u rikonfirmua bashkëpunimi dhe u diskutua për avancimin e potencialit në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona.
/Epoka e re/