Reka: BE-ja ta aplikojë strategjinë e zgjerimit në pako për Ballkanin Perëndimor
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka thënë të hënën se kërcënimi rus ka kthyer Ballkanin Perëndimor në orbitën e Brukselit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se strategjia e zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor (e cila do të publikohet sot), përkatësisht premtimet për vitin 2025, mund të jenë kredibile vetëm nëse nuk janë selektive.
Sipas Rekës, në vend të preferencave të shteteve të caktuara, BE-ja duhet të inaugurojë një strategji në pako për integrimin e tërë Ballkanit në BE, për ta pamundësuar më vonë bllokimin individual të secilit kundër secilit.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar se BE-ja në një anë hoqi dorë nga “Evropa me dy shpejtësi”, ndërkaq nëse aplikon pranimin selektiv atëherë vetë do ta legalizojë diferencimin e Ballkanit në dy kategori: ato shtete që do t’i pranojë dhe të tjerat që do t’i lë të presin.
Reka ka vlerësuar se nga kjo strategji Serbia dhe Mali i Zi janë vendet që do të përfitojnë më së shumti. Sipas tij, edhe Shqipëria edhe Maqedonia mund të përfitojnë diçka, kurse Bosnja e Hercegovina dhe Kosova do të presin me vite. Ai ka thënë se Mali i Zi do të përfitojë për shkak të tërheqjes nga Rusia, kurse Serbia do të joshet në mënyrë që të dalë nga influenca ruse.
“Pra, në vend të preferencave ndaj shteteve të caktuara, duhet inauguruar një strategji për integrimin e tërë Ballkanit në BE, për ta pamundësuar më vonë bllokimin individual të secilit kundër secilit. Nëse tash do ta aplikonte pranimin selektiv atëherë BE-ja vetë do ta legalizonte diferencimin e Ballkanit në dy kategori: në ato shtete që do t’i pranojë dhe të tjerat që do t’i lë të presin me vite. Se çka do të ndodhte me një anëtarësim të tillë selektiv vetëm mund të paramendohet, nëse bie fjala, nesër Serbia do të anëtarësohej para Shqipërisë apo Kosovës. Vetoja e saj do t’i bllokonte këto dyja me vite, me çfarë do të riktheheshin armiqësitë tradicionale ballkanike. Druaj se anëtarësimi selektiv dhe jo në pako i tërë rajonit, në vend të evropianizimit të Ballkanit, do ta ballkanizonte Evropën”, është shprehur Reka.
Megjithatë, ai ka thënë se pika pozitive nga strategjia e BE-së do të jetë kërkesa ndaj Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën deri në vitin 2019, me një marrëveshje juridikisht obliguese, e cila do t’ia mundësonte Kosovës anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në OSBEdhe në OKB.
Gjeopolitika rikthen zgjerimin e BE-së në Ballkan
“Epoka e re”: Z. Reka, sot (e martë) do të publikohet strategjia e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) për vendet e Ballkanit Perëndimor. Cilat janë pritjet e juaja në këtë drejtim?
Reka: Po dëshmohet ajo që tash e sa vite po mundohem ta shpjegoj, se vetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ishte, para së gjithash, gjeopolitik dhe më pak teknik. Zgjerimi i madh i vitit 2004 rrumbullakoi tërheqjen e kufirit verilindor të BE-së (me pranimin e ish-shteteve komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore) dhe atij juglindor (me pranimin e shteteve mesdhetare si Qipro dhe Malta). E njëjta po ndodh me Ballkanin Perëndimor sot. Derisa Rusia dhe ISIS-i nuk kërcënuan seriozisht sigurinë evropiane, Ballkani neglizhohej me vite sepse nuk kishte peshë gjeopolitike. Me shtimin e këtyre kërcënimeve verilindore dhe juglindore edhe Brukseli ndryshoi qasjen e deritashme të status quos ndaj rajonit tonë. Prandaj, pas pesëmbëdhjetë vjetësh nga agjenda e Selanikut (2003), BE-ja po ristarton zgjerimin në rajon, pas një pauze tejet të gjatë. Ky dinamizim vjen më tepër si përgjigje gjeopolitike e Brukselit, ndaj sfidës se lënia eventuale e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së do ta nënkuptonte afrimin buzë kufijve jugorë të BE-së, të këtyre sfidave të jashtme lindore. Prandaj, më 6 shkurt në Strasburg, Komisioni Evropian do të dalë me një strategji të re për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, kurse dy muaj më vonë edhe me raportet e progresit për secilin vend të Ballkanit. Pasi që të prezantojë këtë strategji të re, kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, më 26 shkurt do t’i vizitojë shtetet e Ballkanit, duke e përmbyllur rrugëtimin e tij në rajon me takimin në Sofje, me presidencën bullgare të BE-së. Po në kryeqytetin bullgar, në maj do të mbahet samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor për t’u përmbyllur ky itinerar i ngjeshur, ndërsa në qershor të këtij viti do të mbahet Samiti i rregullt i Këshillit Evropian.
Pse anëtarësim preferencial, kur mundet në pako?
“Epoka e re”: Mund të na tregoni për secilin vend veç e veç se çfarë do të përfitojë nga ky dokument?
Reka: Jo zyrtarisht, së paku nga draftet që po qarkullojnë këto ditë, duket se Komisioni Evropian do të përdorë një qasje selektive, me të cilin tërë Ballkanin Perëndimor do ta vendosë brenda një trajtimi të diferencuar për të mos thënë të preferencuar. Vetë BE-ja me vite ishte kundër ‘Evropës me dy shpejtësi’, ndërkaq nëse aplikon këtë pranimin selektiv siç flitet, vetë do ta legalizojë diferencimin e Ballkanit në dy kategori: në ato shtete që do t’i pranojë të parat (Serbinë dhe Malin e Zi) dhe të tjerat që do t’i lë të presin me vite (Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën). Mali i Zi dhe Serbia e ‘fituan’ këtë status të privilegjuar në Bruksel me premtimin për anëtarësim në vitin 2025, shkaku i frikës ruse. Pra, ‘dy të preferuarit e Junckerit’ shpejtësinë e lëvizjes anëtarësuese e fituan falë sfidave gjeopolitike. Mali i Zi shkaku i tërheqjes nga Rusia, me të cilën kishte raporte të afërta deri në vitin 2016, kurse Serbia, që të joshet që të dalë nga influenca ruse. Realisht, pres që BE-ja sivjet do t’i japë datë për fillimin e negociatave anëtarësuese Shqipërisë dhe Maqedonisë. Mirëpo Bosnja e Hercegovina (shkaku i bllokadës institucionale nga Republika Serbska) dhe Kosova (shkaku i demarkacionit dhe korrupsionit) sivjet vështirë se do ta marrin statusin e kandidates. Në vend të kësaj qasje selektive dhe preferenciale të BE-së, Brukseli duhet ta aplikojë strategjinë e zgjerimit në pako për tërë Ballkanin Perëndimor apo asgjë më tepër nga ajo që bëri në vitin 2004 kur në pako pranoi në gjirin e vet 12 shtete të reja anëtare nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe nga ajo mesdhetare. Pra, në vend të preferencave ndaj shteteve të caktuara, duhet inauguruar një strategji për integrimin e tërë Ballkanit në BE, për ta pamundësuar më vonë bllokimin individual të secilit kundër secilit. Nëse tash do ta aplikonte pranimin selektiv, atëherë BE-ja vetë do ta legalizonte diferencimin e Ballkanit në dy kategori: në ato shtete që do t’i pranojë dhe të tjerat që do t’i lë të presin me vite. Se çka do të ndodhte me një anëtarësim të tillë selektiv vetëm mund të paramendohet, nëse bie fjala, nesër Serbia do të anëtarësohej para Shqipërisë apo Kosovës? Vetoja e saj do t’i bllokonte këto dyja me vite, me çfarë do të riktheheshin armiqësitë tradicionale ballkanike. Druaj se anëtarësimi selektiv dhe jo në pako i tërë rajonit, në vend të evropianizimit të Ballkanit, do ta ballkanizonte Evropën.
“Epoka e re”: Pra, ka rrezik të jenë të sakta raportimet se Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj strategjie në kuptimin që nuk do t’i përcaktohet perspektiva e qartë evropiane?
Reka: Kishte shumë spekulime në këtë temë, deri tek ato se Spanja ishte kundër futjes së Kosovës në grup me shtetet e tjera të Ballkanit në këtë strategji të zgjerimit të BE-së. Nuk di nëse mund t’u besohet raportimeve të tilla mediale, sepse fillimisht strategjia është dokument i Komisionit Evropian dhe jo i Këshillit Evropian (ku Spanja si dhe çdo shtet anëtar kanë veton në vendimmarrje). Spanja eventualisht mund të kundërshtojë në Këshillin Evropian në samitin e rregullt të qershorit, por nuk besoj as aty, sepse kaluan disa samite të rregullta të Këshillit Evropian, ku ishte e pranishme edhe Spanja dhe deri më tash askush, madje asnjëra nga ato pesë shtete anëtare që nuk e njohën Kosovën, nuk e kishin kundërshtuar në vitet e fundit përfshirjen e Kosovës në strategjinë e zgjerimit të BE-së. Mendoj se Komisioni Evropian përcjell logjikën kompromise sa i përket Kosovës tash e sa vite, duke ekuilibruar me kujdes midis pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe politikës së Komisionit Evropian që Kosova, megjithatë, të mos lihet anash procesit të zgjerimit. Pika pozitive për Kosovën nga kjo strategji është ajo që BE-ja do të kërkojë nga Serbia: normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën deri në vitin 2019, me një marrëveshje juridikisht obliguese. Ky vokabular, si rëndom, standard konfuz i Brukselit, nuk është i qartë, prandaj ngjallë shumë interpretime deri tek ato se në vitin tjetër Serbia dhe Kosova do ta njohin reciprokisht njëra-tjetrën si shtete. Po edhe sikur kjo të mos ndodhë, interpretimi më minimal udhëzon se Kosovës, me këtë marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar nga Beogradi, do t’i hapej rruga për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, në OSBE dhe në OKB, ndërkaq Serbisë ajo për finalizimin e negociatave për kapitujt anëtarësues me BE-në. Nuk mund të spekuloj tash për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje, por nëse Serbia në vitin 2019 do të nënshkruante një traktat ndërkombëtar për, siç thuhet, ‘normalizim të marrëdhënieve’ me Republikën e Kosovës, atëherë cilat do të ishin argumentet bllokuese të Rusisë në OKB apo të pesë shteteve anëtare të BE-së.
Shqipe HETEMI