Reka: Këshilla miqësore amerikane për pezullim të taksës riforcon pozitën e Kosovës në dialog
Ish-diplomati dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Blerim Reka, ka thënë se taksa ndaj produkteve serbe ka arritur qëllimin.
Reka përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se pezullimi i taksës është një dalje me faqe të bardhë.
Reka ka theksuar se këshilla miqësore amerikane për pezullim të taksës, (jo tërheqje), rikonfirmon sovranitetin e Kosovës dhe riforcon pozitën e saj negociatore në finalen e dialogut me Serbinë.
“Sovraniteti ushtrohet nga Qeveria: si kur vendoset, ashtu edhe kur pezullohet taksa. Fundja këtë e kuptoj edhe Serbia në tre muajt e fundit. Taksa arriti qëllimin: pamundësinë e vazhdimit të mëtejmë të dialogut asimetrik të Brukselit, që udhëhiqej vetëm nga BE-ja. Që atëherë, edhe me SHBA. Andaj këshilla miqësore amerikane për pezullim, (jo tërheqje), rikonfirmon sovranitetin e Kosovës dhe riforcon pozitën e saj negociatore në finalen e dialogimit. Si kompensim, Kosova mund të kërkojë ndryshimin e preambulës kushtetuese serbe. SHBA, nuk prejudikojnë përmbajtjen, vetëm kërkojnë marrëveshje finale për mbylljen e problemit të parë dhe të fundit ballkanik. Pezullimi i taksës është pra një exit strategy me faqe të bardhë, për të parandaluar akuzat serbe për “Kosovën – prishëse e procesit”; e duke shmang Kosovën, nga pozita që e kishte në Rambuje – Serbia – karshi ndërkombëtarëve. Aleati ynë historik dhe aktual, peshon me shumë, se një masë tregtare”, ka shkruar Reka.
/Epoka e re/