Reka: Kosova dhe Shqipëria, të përkushtuara rreth BE-së

24 prill 2020 | 13:59

Ministri në detyrë për Integrim Evropian, Blerim Reka, ka nënshkruar nga ana e tij marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës për mbështetjen e ndërsjellë në kuadër të përgatitjes për hapjen dhe zhvillimin e negociatave të pranimit.

Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin e dy vendeve mbi shkëmbimin e përvojave në fushën e procesit të integrimit evropian, si dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE të Republikës së Shqipërisë, ka njoftuar Ministria e Integrimit Evropian.

“E njëjta, parasheh krijimin e strukturave negociuese për bisedimet e anëtarësimit; funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës në kuadër të kapitujve të negociatave të anëtarësimit; si dhe shkëmbimin e informacionit dhe përvojës për sa i përket procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit (‘screening’). Gjithashtu, pjesë kryesore e kësaj marrëveshje është thellimi i dialogut politik mes dy Ministrive me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve institucionale në shërbim të procesit të integrimit evropian duke organizuar konferencën e përbashkët vjetore të dy Ministrive për çështje të integrimit evropian”.

“Në respektim të masave të emergjencës shëndetësore të përcaktuara nga qeveritë e të dy vendeve për parandalimin e pandemisë së virusit korona COVID-19, kjo marrëveshje po nënshkruhet në distancë, si dhe po shkëmbehen materialet përmes komunikimeve diplomatike, por kjo nuk e zbehë qëllimin e saj: përgatitjet e përbashkëta të dy vendeve për rrugën integruese evropiane, konform përcaktimit  tonë të përbashkët strategjik, atë të bërit anëtar të ardhshëm të BE-së”, ka njoftuar kjo ministri.

Po ashtu, kjo marrëveshje për bashkëpunim, trason rrugëtimin tonë integrues evropian, brenda një kornize bilaterale ndër-institucionale përgatitore me: detyra, bartës, afate konkrete dhe shkëmbim përvojash e kuadrosh.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të ndihmesës së institucioneve të shëndetësisë në përballimin…