Reka: Në tre muajt e fundit, Serbia nisi destabilizimin e tri shteteve

16 nëntor 2021 | 12:51

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka deklaruar se në tre muajt e fundit, Serbia ka nisur destabilizimin e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këtë po e bën nën zbatimin e “Botës Serbe”. “Diplomacia kishtare” serbe, me inteligjencën ruse dhe me kreditë sllavëruese kineze, gati se nuk e falimentuan Malin e Zi. Ambasadori Rus në Beograd vëzhgonte vendosjen e ushtrisë serbe në kufirin verior të Kosovës, ndërkaq që Rusia dhe Kina vazhdonin bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB”, ka shkruar ai.

 

Postimi i plotë i Rekës:

Dueti Ruso-Kinez i “Botës Serbe”

Gjatë tre muajve të fundit, Beogradi filloi zbatimin praktik të “Botës Serbe” me destabilizimin e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Diplomacia kishtare” serbe, me inteligjencën ruse dhe me kreditë sllavëruese kineze, gati se nuk e falimentuan Malin e Zi. Ambasadori Rus në Beograd vëzhgonte vendosjen e ushtrisë serbe në kufirin verior të Kosovës, ndërkaq që Rusia dhe Kina vazhdonin bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

I njejti duet Ruso-Kinez në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, javën e kaluar e mbështeti Dodikun kundër pranisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, pa reaguar fare kundër planit të tij për shkëputjen e Republika Srpska nga Federata dhe ndezjen e luftës së re.

Alarmin e ngritur në Uashington, e kuptoi edhe Brukseli, i cili dje publikoi strategjinë e sigurisë 10 vjeçare, “EU Strategic Compass”, ku Rusia dhe Kina kualifikohen si kërcënim për BE-në.

Mirëpo, kjo nuk e pengon Serbinë, të përkëdhelurën e BE-së, që ndonëse e negocion anëtarësimin me BE-në, tashmë u anëtarësua në Unionin Euro-Aziatik të Putinit dhe që me fonde të BE-së, paguan kompaninë kineze për ndërtimin e hekurudhës, Budapest-Beograd.

Si mund të negociojë Brukseli me Serbinë, kur kjo e fundit qartë e mbronë aleancën strategjike ruso-kineze?

Javën e ardhshme Vuçiçi takohet në Moskë me Putinin, për të marrë instruksione të reja. Pastaj vazhdon me negociatat për anëtarësim me BE-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk e…