Reka njofton se një rrugë në Staten Island të Nju-Jorkut do ta mbajë emrin e Ismail Qemalit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, ambasadori Blerim Reka, ka bërë me dije se mbrëmë është takuar me David Carrin, anëtar i Këshillit të Nju Jorkut, ambasadorin Ferit Hoxha, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB dhe veprimtarët Bahri Ceka e Naser Nika.
Me këtë rast, Reka ka bërë me dije se një rrugë në Staten Island të Nju Jorkut nga qershori i këtij viti do ta mbajë emrin e atit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemailit.
“Një rrugë në Staten Island, nga 3 qershori do të mbajë emrin e Ismail Qemalit, në nderim të ideologut të pavarësisë së Shqipërisë dhe kryeministrit të parë të saj. Nga takimi i mbrëmshëm me David Carr, anëtarin e Këshillit të Nju Jorkut, ambasadorin Ferit Hoxha, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB dhe veprimtarët nismëtar të kësaj ideje të Staten Island, dr. Bahri Ceka dhe Naser Nika”, ka shkruar Reka në “Facebook”.