Reka: Serbia do të njohë Kosovën brenda 2-3 viteve
Hapja e kapitullit të 35 të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, do të bëjë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës brenda 2-3 viteve, ndryshe serbët nuk do të arrijnë cakun e tyre për integrim në BE.
Kështu ka thënë kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, i cili në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përgjatë viteve.
Reka ka thënë se Beogradi zyrtar duhet të debllokojë rrugën e Republikës të Kosovës në anëtarësimin në OKB, ku më pas të dy vendet, të barabarta me njëra-tjetrën, do të mund të lidhnin një marrëveshje historike që do të çonte në njohjen në mes dy shteteve.
Reka ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ishte dashur të dëgjonte këshillën e mikes së saj, Amerikës për të pezulluar taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.
“Kaloj një shekull i armiqësive Beograd-Prishtinë. Konsideroj se Serbia do të duhet të del jashtë atij petku të Millosheviqit të viteve të ’90-ta dhe të tejkalojë mentalitetin kolonialist ndaj Kosovës, ta pranojë faktin real dhe të mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ajo mund ta shtyjë edhe një kohë mosnjohjen e Republikës të Kosovës, por ajo do të detyrohet për 2-3 vite, jo për shkak të Kosovës, por do të detyrohet ta njeh Kosovën për shkak të negociatave ku do të hapet kapitulli 35 i BE-s, që kërkon në mënyrë ultimative nga Beogradi, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, Serbia nuk do të mund të arrijë në cakun që e ka projektuar për integrimin në BE”, ka thënë Reka.
Ai ka adresuar kritika për pengesat që Serbia po i bënë Kosovës edhe në mënyra të tjera, teksa ka thënë se problemi shqiptaro-serb nuk zgjidhet me ndryshim të kufijve.
Sipas tij, tregtia me territore nuk do të ishte një alternativë e mirë, pasi që më parë duhet arritur marrëveshja historike ndërmjet dy vendeve, e tek atëherë të diskutohej për një gjë të tillë. /Kosovapress/