Rekomandimet e BE-së për shtetet që do të lehtësojnë masat e izolimit
Bashkimi Evropian ka bërë publike rekomandimet për vendet anëtare, që duan të lehtësojnë masat e izolimit nga koronavirusi. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se parakushtet kryesore për shtetet janë që të kenë rënie të dukshme të numrit të të infektuarve, kapacitete të mjaftueshme në sistemet e tyre shëndetësore dhe monitorim adekuat.
“Në përgjithësi, ne rekomandojmë qasje graduale dhe çdo veprim duhet të monitorohet vazhdimisht”, tha von der Leyen, njofton REL. Sipas saj, qëllim i rekomandimeve është “të sigurohet një dalje e koordinuar nga masat e kontrollit”.
Këtë javë, disa vende të Bashkimit Evropian kanë nisur t’i lehtësojnë masat e izolimit kundër përhapjes së koronavirusit. Prej tyre, edhe Italia – vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 21,000 viktima nga koronavirusi – i ka lejuar disa firma të rifillojnë operimet.
Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:
Transmetimi duhet të kontrollohet;
Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
Rastet e importuara menaxhohen;
Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me “normën e re”.